Shqipëria është një nga sponsorët e rezolutës së Asemblesë së Përgjithshme të OKB që dënon shkeljet e të drejtave të njeriut në Iran

18/12/2020 23:23

Asembleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi të mërkurën një rezolutë që dënon abuzimet e regjimit iranian ndaj të drejtave njerëzore. E miratuar me 79 vota pro, kjo është rezoluta e 67-të e OKB mbi situatën e të drejtave njerëzore në Iran që kur morën pushtetin mullahët në 1979-ën. Shqipëria, e cila dëboi ambasadorin dhe tre diplomatë të Republikës Islamike të Iranit nga vendi në 2019-ën dhe 2020-ën, është një nga sponsorët e kësaj rezolute që dënon shkeljet brutale të të drejtave të njeriut në Iran.

Kjo rezolutë ngre shqetësime lidhur me “shpeshtësinë alarmuese të dhënies dhe kryerjes së dënimit me vdekje” në Iran. Këtu përfshihen ekzekutimet e ndërmarra kundër personave mbi bazën e rrëfimeve të detyruara, ekzekutimi i minorenëve, dhe ekzekutimet e kryera për krime që “nuk përfshihen në krimet më serioze,” paralajmëron rezoluta. Rezoluta e OKB thekson se regjimi është në shkelje të detyrimeve të tij ndërkombëtare, si dhe në shkelje të konventave ndërkombëtare, Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Konventa për të Drejtat e Fëmijës.

Rezoluta ngre alarmin edhe për përdorimin e gjerë dhe sistematik të arrestimeve e burgosjeve arbitrare, përdorimin e torturës për të nxjerrë rrëfime, si në rastin e kampionit të mundjes Navid Afkari, i ekzekutuar në shtator. Këtu përmenden gjithashtu vdekjet e dyshimta në burg, si dhe shkelje të vjetra që përfshijnë gjyqësinë iraniane dhe agjencitë e sigurisë, duke përfshirë zhdukjet e detyruara dhe ekzekutimet jashtë-gjyqësore.
Regjimi dënohet gjithashtu për shtypjen e të drejtës për liri shprehjeje e opinioni, duke përfshirë kufizimet e rënda mbi aksesin në internet dhe në kontekstet dixhitale, dhe për shtypjen e të drejtës për liri shoqërimi e grumbullimi paqësor, për ngacmimin, frikësimin dhe përndjekjen e kundërshtarëve politikë, mbrojtësve të të drejtave njerëzore, si dhe për të gjitha format e diskriminimit dhe shkeljeve të tjera të të drejtave njerëzore kundër grave dhe vajzave në ligj dhe në praktikë.

Masat represive të regjimit janë shtuar muajt e fundit, ndërkohë që regjimi i afrohej një-vjetorit të kryengritjes së nëntorit 2019, kryengritje në të cilën protestues në mbi 190 qytete të Iranit bënë thirrje për përmbysjen e regjimit. Regjimi ia doli ta ruante pushtetin vetëm me anë të një shtypjeje brutale dhe vrasjes së mbi 1,500 protestuesve.

Pas votimit për rezolutën, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI), nxori një deklaratë, në të cilën përsërit se: “Personat përgjegjës për shumicën e krimeve që u referohet rezoluta janë po ata njerëz që e kthyen kryengritjen e nëntorit 2019 në një kasaphanë, duke vrarë të paktën 1,500 njerëz, përfshirë të rinj, duke plagosur 4,000 e arrestuar 12,000 të tjerë. Po ata zyrtarë që kanë kryer vazhdimisht krime kundër njerëzimit gjatë katër dekadave të fundit, në veçanti masakrën e 1988-ës ndaj të burgosurve politikë.”

Znj. Maryam Rajavi, presidentja e zgjedhur e NCRI-së, tha: “edhe pse kjo rezolutë nuk adreson shumë aspekte të shkeljeve flagrante të të drejtave njerëzore në Iran, ajo nuk lë asnjë dyshim se ky regjim është abuzuesi numër një në botë ndaj të drejtave njerëzore sot, i ka shkelur në mënyrë flagrante të drejtat themelore të kombit iranian në të gjitha aspektet politike, shoqërore dhe ekonomike, dhe nuk përputhet absolutisht me shekullin e 21-të, dhe për këtë arsye duhet të dëbohet nga komuniteti botëror. Ajo shtoi se pandëshkueshmëria për liderët kriminelë të këtij regjimi duhet të marrë fund dhe të gjithë ata duhet të përballen me drejtësinë për 40 vite të mbushura me krime kundër njerëzimit.”

Znj. Rajavi bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar që duhej të ishte bërë me kohë lidhur me krimet e regjimit, sidomos lidhur me shtypjen ndaj protestave të nëntorit 2019 dhe me masakrën e 1988-ës ndaj 30,000 të burgosurve politikë. “Mungesa e veprimit përballë krimeve në vazhdim kundër njerëzimit është një njollë në ndërgjegjen e njerëzimit,” tha ajo. “Ka ardhur koha t’u kërkojmë llogari liderëve të regjimit për krimet e tyre në vazhdim kundër njerëzimit, si vrasjet masive gjatë kryengritjes së nëntorit 2019 dhe masakra e 1988-ës ndaj të burgosurve politikë.”

Top Channel