OKB në alarm për shkak të krizës së urisë në Sudanin e Jugut

18/12/2020 16:44

Agjencitë OKB-së kanë bërë thirrje që të hapen për ndihma humanitare disa zona ku ka përleshje në Sudanin e Jugut dhe paralajmëruan se në të kundërtën mund të vjen deri tek një fatkeqësi e madhe për shkak të urisë.

Në raportin e përgatiur nga Agjencia e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FOA), Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) dhe Programi Botëror i Ushqimit (WFP) lidhur me sigurinë e ushqimit në vend vihet theksi se kanë mbaruar produktet ushqimore në zonën Pibor në rajonin Jonglei dhe se mijëra persona përballen me urinë.

“Problemi i sigurisë, pandemia e koronavirusit të ri, kriza ekonomike dhe efekti i përmbytjeve janë arsyet kryesore për nivelin e lartë të urisë”, thuhet në raportin në të cilin njoftohet se në rajon duhet të dërgohen urgjentisht ndihma për të shpëtuar jetët e njerëzve.

Në raport përmenden edhe mendimet e përfaqësuesit të FOA për Sudanin e Jugut, Meshack Malo i cili u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të ndalin përleshjet dhe të lejojnë qasjen e ndihmave humanitare në rajon para se të ndodhë një fatkeqësi.

Përfaqësuesi i UNICEF-it për Sudanin e Jugut, Mohamed Ayoya tha se ka nevojë për një ndërhyrje emergjente për të parandaluar që fëmijët të humbin jetën nga kequshqyerja.

Teksa thuhet se për periudhën tetor dhe nëntor 6.5 milionë njerëz në Sudanin e Jugut ndodhen në pasiguri për ushqimin, në raport theksohet se kjo shifër brenda vitit 2021 mund të rritet në 7.24 milionë.

Pavarësisht se lufta e brendshme ka përfunduar, në disa rajone vazhdojnë përleshjet mes grupeve etnike ndërkohë që jetën në vend e vështirësojnë edhe më shumë efektet negative si kriza ekonomike, pandemia dhe përmbytjet./AA/

Top Channel