Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj nuk është deklaruar rreth fajësisë ose pafajësisë para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Por ai ka folur në seancën e sotme duke kundërshtuar Gjykatën Speciale. Haradinaj ka thënë se Prokuroria e Speciales është e korruptuar dhe po synon të largojë vëmendjen nga vetja rreth rrjedhjes së dokumenteve të Speciales muaj më parë, siç tha ai, duke fajësuar veteranët e UÇK-së. Pasi u pyet nga gjyqtari i procedurës paraprake se a kupton aktakuzën ndaj tij, Haradinaj tha se fare nuk e ka lexuar atë.

Haradinaj: Nuk e kam lexuar aktakuzën

 “Kam nënshkruar një dokument që e kam parë aktakuzë, por ju them të drejtën as nuk e kam lexuar”.

Haradinaj tha se në vend tij para gjyqit do duhej të ishin personat që kanë nxjerrë dokumentet nga Specialja dhe i kanë dërguar ato në Kosovë në selinë e OVL-UÇK-së. Ai tha se po akuzohen për fajet e prokurorisë dhe kjo sipas tij është absurde. Ai madje shtoi se prokuroria është e korruptuar.

Haradinaj: Prokuroria e Speciales është e korruptuar

 “Për mendimin tim, kjo prokurori është së pari politike selektive dhe e njëanshme, por tani me këtë veprim të tyre po dyshoj dhe bindem se është dhe e korruptuar, sepse ndryshe nuk do u dilte gjithë ai material nga zyrat e tyre”.

Haradinaj nuk e ka bërë deklarimin e tij sot rreth fajësisë apo pafajësisë dhe ka thënë se nga tani e tutje do të flasë vetëm avokati i tij. Sipas rregullave, brenda 30 ditësh Haradinaj do të ftohet të vetëdeklarohet rreth fajësisë apo pafajësisë.

Top Channel