IOM: Migrantët të përfshihen në fushatat e vaksinimit

18/12/2020 17:17

Pandemia e koronavirusit ka prekur njerëz në të gjithë botën, përfshirë imigrantët, shumë prej të cilëve janë sëmurur, kanë humbur vendet e punës ose janë bllokuar në vendet ku ata jetojnë.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Margaret Besheer foli me kreun e agjencisë së OKB-së për imigracionin mbi gjendjen e tyre të vështirë.

Në të gjithë botën ka rreth 272 milionë imigrantë. Diçka më pak se gjysma e tyre janë gra.

OKB-ja i konsideron imigrantë të gjithë ata që ndryshojnë vendin e tyre, pavarësisht nga arsyeja. Por, shumica largohen nga vendet e tyre për arsye ekonomike.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Imigracionit, India ka numrin më të madh të emigrantëve që jetojnë jashtë vendit, më shumë se 17 milionë. Shtetet e Bashkuara mbeten destinacioni kryesor, me më shumë se 50 milionë imigrantë.

Rreth 3 milionë imigrantë janë bllokuar nga kufizimet për frenimin e përhapjes së Covid-19 dhe mbyllja e kufijve. Por virusi nuk i ka ndalur kriminelët që të shfrytëzojnë ata që duan të emigrojnë në vende të tjera.

“Numri i njerëzve që mbërritën në Itali përmes Mesdheut, një nga rrugët më të rrezikshme, u katërfishua këtë vit krahasuar me vitin e kaluar. Rreth 130 mijë njerëz kaluan Gjirin e Adenit në përpjekje për të arritur në vendet e Gjirit dhe këtë vit nuk pati ngadalësim të këtij fluksi për shkak të pandemisë”, thotë Antonio Vitorino, Drejtor i Organizatës Ndërkombëtare të Imigracionit.

Më shumë se 3,100 imigrantë kanë vdekur në përpjekjet për të kaluar në një vend tjetër këtë vit. Mbytja është një nga shkaqet kryesore të vdekjes së tyre.

Ndërsa disa nga vendet e pasura po miratojnë përdorimin e vaksinave kundër COVID-19 dhe po fillojnë të vaksinojnë popullsinë e tyre, zoti Vitorino thotë se imigrantët nuk duhet të përjashtohen nga fushatat e vaksinimit.

“Është përgjegjësi e qeverive të garantojnë që të gjithë ata që janë të pranishëm në territorin e tyre, qofshin shtetas apo jo, imigrantë, pavarësisht nga statusi i tyre ligjor, të kenë qasje tek vaksina. Sepse në aspektin praktik, kemi mësuar se nga pandemia askush nuk është i sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurt”, thotë zoti Vitorino.

Dita Ndërkombëtare e Imigrantëve është një moment për të njohur kontributin e imigrantëve në vendet ku ata janë vendosur dhe për të respektuar të drejtën e tyre për të kërkuar një jetë më të mirë, thotë IOM-i.

“Imigrimi është një fenomen i natyrshëm njerëzor. Ai ka ekzistuar gjithmonë dhe do të vazhdojë të ekzistojë në botën tonë”, thotë zoti Vitorino.

Imigrantët shpesh mendohet se janë punëtorë pa dokumente, por shumica dërrmuese ndodhen në mënyrë të ligjshme në vendet ku jetojnë. Ata punojnë në të gjitha fushat, përfshirë kujdesin shëndetësor dhe teknologjinë./voa/

Top Channel