Dybala: Dua të shijoj trofe të tjerë me Juven, ëndërroj Champions-in dhe Botërorin

18/12/2020 00:03

Ndërkohë që pritet të rinovojë bashkëpunimin me Juventusin, Paulo Dybala ka dhënë një intervistë për tifozët e rinj të bardhezinjve, në kuadër të iniciativës së emërtuar “Junior Reporter”.

Numri 10 argjentinas nuk ngurroi të shprehë dashurinë e tij për klubin bardhezi dhe zbuloi se ëndërron të fitojë Ligën e Kampionëve me Juventusin, por ngurroi të tregojë se si po ecin negociatat për rinovimin e kontratës.

Si ndjehesh te Juventus?
Kam kaluar shumë momente të bukura këtu, kemi fituar shumë trofe. Kujtoj që ardhja te Juventusi ka qenë një emocion shumë I madh, ashtu si edhe ndeshja e parë me fanellën bardhezi. Shpresoj se do të fitojmë ende edhe shumë trofe, duke filluar nga Superkupa ndaj Napolit në janar.

Cilat janë ëndrrat që shpresoni t’i realizoni në futboll?
E para është të fitoj Ligën e Kampionëve, sigurisht me skuadrën e Juventusit dhe tjetra është të fitoj Kupën e Botës me kombëtaren e Argjentinës. Shpresoj që t’i arrij të dy këto objektiva.

Çfarë do të thotë të mbash numrin 10 mbi shpinë?
Shumë përgjegjësi dhe shumë punë, por jam krenar që kam mundësi ta vesh këtë fanellë. Që ditën që te Juve më kërkuan të mbaj këtë numër, e dija që do të ishte e vështirë, për vetë historinë që mbart ky numër. Megjithatë stema e klubit është akoma më e rëndësishme dhe të gjithë duhet të jemi gati të bëjmë maksimumin për skuadrën në fushën e lojës.

Çfarë menduat kur ju erdhi oferta nga Juventus?
Në atë kohë kisha oferta edhe nga klube të tjera, me të cilët po negocionim, por kur erdhi oferta e Juves u thashë menaxherëve të mi të ndërpresin çdo bisedim tjetër dhe të flasin vetëm me bardhezinjtë. Që kur erdhi telefonata e parë, nuk kisha asgjë tjetër në mendje.

Top Channel