Bledi Çuçi dhe Milva Ekonomi, dy ministrat e rinj të kabinetit qeveritar pritet të betohen ditën e sotme në Presidencë.
Të shoqëruar nga Engjell Agaçi, sekretari përgjithshëm i Kryeministrisë, ministri i Brendshëm dhe ministrja e Bujqësisë kanë mbërritur në Presidencë, ku do të mbahet sipas protokollit, ceremonia e betimit.
Në këto shtatë vite qeverisje nga socialistët, Bledi Çuçi do të jetë ministri i katërt pas Saimir Tahirit, Fatmir Xhafajt dhe Sandër Llleshajt që do të drejtojë Ministrinë e Brendshme.
Me këto dy propozime të reja, kryeministri Edi Rama është treguar i kujdesshëm, për të shmangur një përplasje të re me presidentin Ilir Meta i cili e vonoi dekretimin si ministër të Sandër Lleshajt dhe refuzoi atë të Gent Cakajt.
Çuçi u bë pjesë e strukturave drejtuese të PS-së që në vitin 2007, kur u zgjodh anëtar i Asamblesë Kombtare dhe kryetar i Komisionit të Asamblesë për Çështjet e Pushtetit Vendor.
Që prej shkurtit 2012, ai mban edhe detyrën e nënsekretarit për Çështjet Zgjedhore në PS. Në qeverinë Rama1 prej shtatorit 2013, për tre vjet e gjysmë, Bledi Çuçi ushtroi detyrën si ministër Shteti për Çështjet Vendore dhe Kordinator Kombëtar kundër Korrupsionit. Në këtë detyrë, ai udhëhoqi punën për përgatitjen dhe zbatimin e Reformës Administrative Territoriale. Zoti Çuçi është i dërguar politik i PS-së në Gjirokastër.
Nga ana tjetër, Milva Ekonomi iu bashkua kabinetit qeverisës të kryeministrit Rama si ministre e Ekonomisë në vitin 2016. Në zgjedhjet e 2017-ës, ajo u zgjodh deputete në Durrës. Zonja Ekonomi ka shërbyer edhe si zëvendësministre e Shëndetësisë. Nga viti 1994 deri në 2005-ën ka shërbyer si Drejtoreshë e Përgjithshme e Institutit të Statistikave të Shqipërisë.
Top Channel