Vetëm 4 ditë pas barazimit pa gola në derbin ndaj Manchester City-t, Manchester United rikthehet te suksesi, pasi ia doli të triumfojë me rezultatin 2-3 në “Bramall Lane” ndaj skuadrës së vendit të fundit të kampionatit, Sheffield United.

Sulmuesi veteran irlandez David McGoldrig zhbllokoi sfidën që në minutën e 5-të për Sheffield, por skuadra e drejtuar nga Ole Gunnar Solskjaer reagoi mjaft mirë dhe përmbysi rezultatin që në pjesën e parë me golat e Marcus Rashford dhe Anthony Martial.

Në pjesën e dytë ishte sërish Rashford që shënoi edhe golin e tretë për “djajtë e kuq”, megjithatë fundi u bë i komplikuar, pasi McGoldrick rihapi takimin dhe deri në vërshëllimën finale Sheffield kërcënoi disa herë të gjejë golin e barazimit.

Me këtë sukses Manchester United ngjitet në vendin e 6 me 23 pikë, aq sa ka edhe Evertoni i vendit të 5-të, ndërsa Sheffield United mbetet në fund me vetëm një pikë në 13 javë dhe mbijetesa duket një mision i pamundur këtë sezon.

Top Channel