‘Jo etike që Çuçi e mësoi lajmin nga media’, Balla i kthehet avokatit: Trajneri vendos kush del dhe kush hyn, s’ka kundërshtime

17/12/2020 22:16

Avokati Adriatik Lapaj e sheh si jo etike nga ana politike dhe qytetare faktin që Bledi Çuçi e mësoi lajmin e emërimit nga media dhe jo nga Rama. Sipas tij kryeministri duhet të ulej në tavolinë të gjerë bashkë me Çuçin dhe të diskutohej ky emërim.

Nga ana tjetër Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha në Open në Top Channel se trajneri e vendos kush hyn dhe kush del nga loja dhe nuk ka lojtar që e kundërshton.

Lapaj: Mua personalisht më duket joetike politikisht dhe qytetarisht që ministri Çuçi e merr vesh nga media faktin se do të jetë ministër i Brendshëm, aq më shumë duke qenë ministër i një sektori tjetër. Rama duhej të ulej në tryezë, të diskutonte me Çuçin. Ku jemi me bujqësinë, çfarë po ndodh? Si është situata? A jeni gati për postin e ri, a e bëni dot? A keni kualifikimin e duhur? Arroganca ndikon te qytetarët. Njerëzit kanë dinjitet. Ne po diskutojmë në nivel parimor. Kur ti e emëron pa e pyetur, imagjononi çfarë ndodh me një shkarkim.

Balla: Rama ka bërë një sërë konsultimesh me emërimet. Ka biseduar me kryetarin e Kuvendit dhe me mua përsa i përket këtyre dy emrave. Politika është si një ekip që trajneri thotë ti do hysh ti do dalësh. Nuk besoj që ka ekip ku lojtarët kundërshtojnë të hyjnë në lojë. E vetmja parti që ka ekip, lidership dhe lojtarë jemi ne.

Top Channel