Grupi terrorist xhihadist nigerian sulmoi një shkollë javën e kaluar dhe mori me forcë rreth 500 nxënës, të cilët shfaqeshin në një video të rëndë të publikuar, ku të përlotur ata i luteshin qeverisë t’i shpëtojë jetën.
Pamjet rrënqethëse tregonin fëmijët e marrë peng nga Boko Haram që luteshin për jetën e tyre, teksa grupi kërkon në këmbim pagesa shpërblese ose lirim të të burgosurve politikë, aleatë të tyre.
Të premten terroristët sulmuan në numra të shumtë konviktin e shkollës shtetërore në Kankara, duke detyruar rreth 500 nxënës të vinin me ta.
Në videon gjashtë-minutëshe të publikuar, tregohet një grup i madh djemsh të grumbulluar në një zonë me pemë, shumë prej të cilëve duke qarë dhe të mbuluar me pluhur.
Një terrorist i maskuar qëndron mes tyre, me automatik në dorë.
Një nga djemtë flet në një gjuhë të përzier anglisht dhe Hausa, duke thënë se rreth 500 prej tyre janë marrë peng, dhe disa janë vrarë teksa ushtria nigeriane tentoi t’i shpëtonte.
“Ne jemi kapur nga banda e Abu Shekau, disa nga ne janë vrarë,” thotë djali, ndërsa në sfond dëgjohet një tjetër zë që e mëson çfarë të thotë.
Më pas djali i tmerruar i lutet qeverisë të zgjidhë paqësisht çështjen me pengmarrësit, pa përdorur forcën e ushtrisë.
Një nga terroristët shton se pengmarrja është kryer sepse “ju nuk ndaluat vrasjet dhe arrestimet e popullsisë Fulani”, duke iu referuar grupit më të madh etnik të vendit.
Djali më pas i lutet qeverisë të ndalojë sulmet ndaj Boko Haram dhe thotë se duhet të “shpërndahen grupet e armatosura të qytetarëve e të mbyllen të gjitha shkollat, përveç atyre islamike”.
Lideri i Boko Haram, Abubakar Shekau shfaqet në fund të videos, duke thënë se pamjet tregojnë se grupi nuk po bën shaka.
I njëjti grup mori peng 276 vajza shkolle në Chibok në 2014, teksa deri tani vetëm gjysma e tyre janë liruar pas plotësimit të kërkesave nga qeveria.
Top Channel