Atalanta rezultoi “kockë e fortë” për Juventusin në sfidën e zhvilluar në “Allianz Stadium” në kuadër të javës së 12-të të Serisë A, e cila u mbyll barazim 1-1. Skuadra e Gasperininit konfirmoi se jo rastësisht ka kaluar fazën e grupeve të Championsit dhe mbetet një rival i fortë për ekipet elitare në Itali.

Bardhezinjtë ishin dominues në pjesën e parë, të cilën e mbyllën në epërsi të një goli të realizuar nga Federico Chiesa me një goditje fantastike nga jashtë zonës, që rezultoi e pakpashme për portierin Gollini.

Kundërpërgjigjja e bergamaskëve do të vinte në pjesën e dytë, fillimisht me golin e Freuler, që goditi befasisht në minutën e 57-të, thuajse në të njëjtin pozicion që realizoi Federico Chiessa, për të mposhtur Szczesny-n, ndërsa pak minuta më vonë, heroin e Atalantës e bëri portieri Gollini, që i priti penalltinë (e fituar nga Chiesa) Cristiano Ronaldos, pasi i kuptoi krahun portugezit. “Gardiani” bergamask vetëm pak çaste më vonë u mohoi gola të sigurt Alvaro Moratës dhe Cristiano Ronaldos me të paktën dy pritje të njëpasnjëshme, ndërsa nga ana tjetër ishte Gosens që tentoi me një goditje akrobatike që për pak centimetra mund të kishte përfunduar brenda.

Në minutat në vazhdim vijuan përpjekjet e të dyja skuadrave për të marrë fitoren, por nuk pati më ndryshim rezultati. Përfundimisht 1-1 në “Allianz Stadium”, rezultat që përligj atë që dhanë të dyja skuadrat në fushën e blertë.

Top Channel