“Vrasje me dashje”/ Prokuroria konkretizon akuzën ndaj Nevaldo Hajdaraj: Kamerat filmuan momentin! Pistoleta e gjetur mister

16/12/2020 11:23
Polici, Nevaldo Hajdaraj dhe viktima Klodian Rasha

Prokuroria e Tiranes konkretizon akuzën penale për efektivin e policisë Nevaldo Hajdaraj thonë burimet për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxhën.

Sipas Prokurorisë, akuza që rëndon ndaj Hajdarajt është “Vrasje me dashje” në dëm të viktimës Klodian Rasha.

Prokuroria: “Kemi siguruar provën kryesore,pamjet filmike ku qartësohet momenti i goditjes me armë nga punonjësi i policisë. Filmimi i sekuestruar jep një tablo të qartë të vrasjes. Filmimi tregon se polici ka qëlluar nga një pozicion i shtrirë, drejt Klodian Rashës. Këndi i goditjes se Klodian Rashës, ka qenë në gjatësinë e trupit të viktimës.”

Mësohet se Filmimi ka zbuluar se Klodian Rasha, është qëlluar nga polici teksa ishte duke u larguar me vrap në rrugicën që të çon drejt banesës së viktimës. Polici ka marrë pozicionim për të qëlluar dhe ka hapur zjarr dy herë me armën e shërbimit.

Ndërkohë për sa i përket armës tip pistoletë të gjetur në një pellg uji thuhet se ende nuk janë identifikuar gjurmë.

Më tej Prokuria e Tiranës vijon:Arma e gjetur ne pellgun e ujit,ende e paidentifikuar.Kemi administruar aktin e ekspertimit balistik te pistoletës.”

Pra arma vijon të mbetet mister se kujt personi i përket dhe në çfarë rrethanash u gjet larg vendit të vrasjes së Rashës.

Akuza që do rikualifikohet do ngrihet për shkak se polici pasi e gjuajti njëherë, ka vazhduar të gjuajë sërish. Mësohet se viktimën e  kapi një plumb që i shkaktoi vdekjen, ndërsa predha tjetër e plumbit ka kapur pjesën e jashtme të servisit që ishte në rrugicën ku po vraponte Klodian Rasha.

Kujtojmë se Klodian Rasha u vra nga efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit. Viktima ishte pikasur nga patrulla e policisë, ndërsa pas një ndjekje me vrap nga ana e Nevaldo Hajdarajt, ky i fundit ka hapur zjarr ndaj tij duke e lënë të vdekur në vend.

Kjo ngjarje ka sjellë reagime të forta në vend. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dha dorëheqjen e parevokueshme, ndërsa prej disa ditësh mijëra të rinj u ngritën në protesta të dhunshme për të kërkuar drejtësi. Ndërkohë punonjësi i policisë është arrestuar menjëherë pas ngjarjes tronditëse.

Top Channel