Sulmon shqiptarin për origjinën/ Arrestohet djali i biznesmenit grek, në pranga edhe kushëriri i tij! Momenti kur dërgohen para gjykatës

16/12/2020 12:37

Djali i një prej biznesmenëve më të mëdhenj në Greqi u arrestua sepse sulmoi dhe plagosi një shqiptar. Shqiptari, Pavllos Petraq Misia u plagos në lagjen Peristeri të Athinës.

Sipas policisë greke,32 vjeçari punonte në një dyqan shitje automjetesh,në kohën që pati një përballje verbale me djalin e biznesmenit grek, i cili fillimisht e ofendoi për origjinën e tij dhe në vazhdim e goditi me sende të forta dhe e plagosi në këmbë me një pistoletë të cilën e mbante pa leje.

32 vjeçari shqiptar mundi të shkojë vetë deri në një klinikë që ndodhet aty pranë,lëvizje që i shpëtoi atij jetën,pasi mjekët e klinikës mundën ti ndalnin hemorragjinë.

Burime policore i thanë Top Channel, se ishin banorët e lagjes të cilët e panë incidentin që njoftuan autoritet. Ata mundën të dallojnë targën e automjetit me të cilën u larguan autorët.

Patrulla të policisë identifikuan makinën e autorëve dhe mundën të vënë në pranga autorin dhe kushëririn e tij, të dy shtetas grekë.

Policia thotë se autori i ngjarjes është person me precedentë penalë. Në të shkuarën ai është arrestuar për sulm ndaj policisë,por u lirua pak muaj më vonë,ndërsa është akuzuar edhe disa herë të tjera për sulme të dhunshme.

Top Channel