Vrasje me paramendim dhe drogë/ OFL piketon 3 persona në Durrës, brenda 48 orëve duhet të deklarojnë pasurinë

14/12/2020 13:36

Operacioni Forca e Ligjit u ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë tre shtetasve.

Bëhet fjalë për J.(P.) N., banues në Durrës, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”; E. N., banues në Durrës, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe E. D., banues në Durrës, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Top Channel