Telashe për Piolin, Bennacer e Gabbia mbyllin vitin, Ibra e Kjaer humbin edhe Genoan

14/12/2020 23:43

Pas barazimit në minutat e fundit në ndeshjen e djeshme ndaj Parmës, Milani do të kërkojë ringritjen të mërkurën në mbrëmje ndaj Genoas, për të mbajtur kryesimin para se të shkojë te dy sfida mjaft të komplikuara të fundvitit, me Sassuolon në transfertë dhe Lazion në “San Siro”.

Megjithatë nga infermieria nuk vijnë aspak lajme të mira për trajnerin Stefano Pioli, pasi mesfushori Ismael Bennacer dhe mbrojtësi Matteo Gabbia, të cilët lanë fushën e lojës të dëmtuar mbrëmjen e djeshme, nuk do të udhëtojnë drejt Gjenovës.

Mesfushori algjerian vuajti një tërheqje muskulore në kofshën e djathtë dhe vetëm pas 10 ditësh do të rivlerësohet gjendja e tij, ndërsa mbrojtësi pësoi një dëmtim në gju dhe nesër do t’u nënshtrohet disa ekzaminimeve ekstra për të verifikuar shkallën e lëndimit.

Gjithsesi është e sigurt që as njëri e as tjetri nuk do të jenë në dispozicion të Stefano Piolit për vitin 2020, pasi në rastin më të mirë do të rikthehen më 9 janar, kur të rinisë kampionati italian.

Përveç këtyre të dyve, në Gjenova nuk do të udhëtojnë as mbrojtësi danez Simon Kjaer, i cili edhe sot u stërvit i diferencuar, por as sulmuesi Zlatan Ibrahimovic, që gjithashtu nuk i është bashkuar ende grupit.

Synimi i stafit mjekësor dhe trajnerëve të Milanit është që të rikuperojnë dy veteranët për transfertën e të dielës ndaj Sassuolos dhe për ndeshjen e fundit për këtë vit, atë ndaj Lazios, ndaj këtë mesjavë dilemat e Piolit do të jenë të shumta.

Kjo pasi në mbrojtje si Leo Duarte, ashtu edhe francezi Kalulu nuk ofrojnë garanci, ndërsa në mesfushë pritet që në vendin e Bennacer të luajë Sandro Tonali, që kohët e fundit ka ardhur në rritje, por ende mbetet një rezervë e algjerianit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA