Personazhet publike thirrjeve protestuesve për t’u distancuar nga aktet e dhunës, Bledi Strakosha: Janë pasuria jonë e përbashkët

14/12/2020 15:07
Bledi Strakosha

Personazhe të njohur publikë në Tiranë kanë shtuar thirrjet për distancim nga aktet e dhunës gjatë protestave të ditëve të fundit.

Moderatori i njohur, Bledi Strakosha, përmes një postimi në rrjetet sociale, shprehet i indinjuar për shkatërrimin e objekteve publike dhe sinjalistikës rrugore. Sipas gazetarit sportiv e gjithë fatura e shkatërrimit është e vetë qytetarëve pasi është prona jonë e përbashkët.

“Stacionet e autobusëve shërbejnë që një zonjë (zotëri, student/e, etj) të gjejë sado pak shplodhje e të mbrohet disi nga i ftohti i këtyre ditëve, teksa pret autobusin e lodhur nga dita e gjatë e punës. Semaforët shërbejnë për të organizuar lëvizjen e një prindi që nxiton të çojë a të marrë fëmijën në çerdhe, kopsht a shkollë. Që një fëmijë madhor t’u vijë në ndihmë prindërve pa kaos. Që një i sëmurë të mbërrijë në kohë për të marrë shërbimin shëndetësor. E kështu me radhë. Janë bërë me paratë tona dhe po me tonat do ribëhen. Është e vërtetë që janë thjesht gjëra materiale e që zëvendësohen lehtë, por përse duhen shkatërruar?! Ç’dobi sjell dëmtimi i asaj çka është e përbashkët?!” , shkruan Strakosha.

Përgjatë 5 ditëve të protestës në kryeqytet janë dëmtuar jo vetëm disa prej godinave të institucioneve publike përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, por edhe semaforë, stacione autobusësh, tabela të qarkullimit, madje edhe koshat e mbeturinave, për të cilat nga ana e punonjësve të ndërmarrjeve të Bashkisë së Tiranës punohet me intensitet për sistemimin dhe rikthimin në normalitet.

Top Channel