Goditi punonjësin e policisë për shkak të detyrës, arrestohet 30-vjeçari në Tiranë

14/12/2020 14:05

Një 30-vjeçar ka rënë në pranga në Tiranë, pasi goditi një punonjës të policisë për shkak të detyrës.

Në një njoftim zyrtar për mediat bëhet me dije se shtetasi me iniciale O. M. është arrestuar, sepse në rrugën “5 Maji” ka goditur punonjësin e Policisë të Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore, i cili mori ndihmë mjekësore në spital.

Po kështu, policia njofton edhe prangosjen e 4 shtetasve të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

“Forcat e posaçme “Shqiponjat”, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve Xh. G., 20 vjeç dhe K. D., 20 vjeç, banues në Tiranë. “Shqiponjat” kanë ndaluar për kontroll në bulevardin “Gjergj Fishta”, mjetin me drejtues shtetasin Xh. G. dhe pasagjer shtetasin K. D. Gjatë kontrolleve fizike të të dy shtetasve dhe mjetit, shërbimet e Policisë gjetën një armë të ftohtë dhe një sasi me lëndë narkotike të llojit kokainë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me 2 aparate celularë. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. H., 41 vjeç, pasi ka tentuar të djegë me lëndë djegëse pemën e Vitit të Ri të vendosur nga Bashkia Kavajë në qendër të qytetit të Kavajës”, shkruhet në njoftim.

Më tej vijon:

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit F. H., 49 vjeç, pasi në rrugën “3 Dëshmorët”, u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.62 mg/l. Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme”.

Top Channel