Bashkëpunimi elektro-energjetik Shqipëri-Kosovë, Rama: Në një të ardhme të afërt do të jemi pjesë e rrjetit europian

14/12/2020 11:38
Kryeministri i vendit, Edi Rama

Sot nis transmetimin linja 400 kv mes Shqipërisë dhe Kosovës,duke rritur kapacitetet elektro-energjetike mes dy vendeve.

Ky është një hap shumë i rëndësishëm pasi më në fund nisi operimi i pavarur i Kosovës, si Zonë Rregulluese brenda Bllokut Rregullues Shqipëri – Kosovë.

Kryeministri i vendit, Edi Rama në fjalën e tij gjatë takimit online me zyrtarët nga Kosova tha se për momentin ky është një bashkëpunim energjetik rajonal por më vonë do të jetë pjesë e rrjetit europian.

“Do të ketë hap pas hapi të mira të mëdha mes dy shteteve dhe si rezultat për popullatën brenda dhe jashtë shtetit. Blloku i kontrollit sjell një përfitim të madh për sa i përket pjesës së përbashkët të rezervave, që janë të nevojshme për kontrollin e përbashkët. Kjo do të sjellë rritjen e sigurisë, optimizmin, përshpejtimin e procesit të bashkimit. Në të gjithë rajonin reduktimi i humbjeve janë gjëra të mëdha që ndodhin falë këtij hapi që hedhim bashkarisht. Bashkohem me ministren që tha se çka ka bërë OST për të arritur që të shkelet butoni dhe të fillojë qysh prej mesnatës është një shembull kuptimplotë në të gjitha fushat, është një gur kilometrik në rrugën e veprimit të jetës së përditshme të njerëzve. Një falënderim i madh për të gjithë ata që bënë lidhjen. Hapësira e përbashkët shqiptare për sistemin do të jetë një shtyllë në historinë e tregut rajonal që në një të ardhme të afërt do të jetë pjesë e rrjetit europian. Nuk është fundi por vetëm vazhdimi i një rruge kjo që jetojmë sot se fundi është shtrirja e plotë në tregun europian që kalon përmes tregut rajonal. Ju uroj në radhë të parë shëndet për juve e të afërmit tuaj”, tha Rama.

Top Channel