Turizmi, 904 milionë euro më pak/ Por jashtë u shpenzuan 717 milionë euro më pak

12/12/2020 15:16

Bllokimi i kufijve dhe masat e tjera kufizuese kanë bërë që të ardhurat e turizmit të huaj të pësojnë një rënie të fortë gjatë 9-mujorit të këtij viti.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për periudhën janar – shtator të huajt shpenzuan në Shqipëri 732 milionë euro në total, nga 1.6 miliardë euro që ishte kundrejt një viti më parë, duke shënuar një rënie prej rreth 904 milionë euro më pak.

Sa i përket tremujorit të tretë, që përkon edhe me kulmin e sezonit turistik, të dhënat e bilancit të pagesave të bankës qendrore tregojnë se shpenzimet e turistëve arritën në 323 milionë euro. Një shifër ndjeshëm më e ulët se e njëjta periudhë e 2019-së, ku pavarësisht masave lehtësuese pas karantinës nuk u arrit kompensimi i humbjeve që vetëm për këtë periudhë përllogariten në 459 milionë euro më pak në ekonominë shqiptarë për shkak të pandemisë.

Rënie të ndjeshme kanë shënuar nga ana tjetër edhe shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit si rrjedhojë e pamundësisë për të lëvizur lirshëm për pushime. Si raport 9-mujor ata kanë shpenzuar për udhëtime përtej kufijve 507 milionë euro, ose rreth 717 milionë euro më pak se kundrejt një viti më parë, shifër e cila arrinte në 1.2 miliardë euro.

Operatorët turistikë kanë parashikuar që humbjet e turizmit të kapërcejnë 1.3 miliardë euro deri në fund të këtij viti, teksa pesimistë paraqiten edhe për sezonin e ardhshëm, në kushtet kur pikëpyetjet mbi vazhdimësinë e pandemisë globale Covid-19 janë të mëdha dhe shumë shtete kanë rikthyer masat kufizuese për të parandaluar përhapjen e virusit të ri.

Top Channel