Përfundoi protesta e nisur në 18:00 për vrasjen e të riut Klodian Rasha ndërsa rrugët e kryeqytetit janë boshatisur dhe ka rënë sërish qetësia. E megjithatë pas protestës së tensionuar, policia vijon me identifikimin e qytetarëve.

“Nëse na vrisni do jemi dëshmorë, kurse ju tradhtarë”, “Në Shqipëri pushteti dhe padrejtësia janë sinonime”, ishin disa nga pankartat që mbizotëruan në protestën e sotme e cili nisi e qetë por nuk vazhdoi e tillë.

Pas një marshimi që nisi që nga kryeministria, protestuesit ndërsa ecën drejt rrugës së Myslym Shyrit thyen objekte, shkulën tabelat dhe hodhën kapsollat, nga një prej të cilave u dëmtua në sy dhe një efektiv.

Policia veprimeve të tyre iu përgjigj me gaz lotsjellës, ndërsa shumë të rinj edhe u shoqëruan. Ajo që u vu re ishte pjesëmarrja e madhe në numër e adoleshentëve.

Kujtojmë se 3 ditët e para të protestës ka pasur tensione dhe dhunë nga ana e protestuesve të cilët kanë sulmuar institucionet, dhe kanë shkatërruar semaforë, tabela.

Protesta janë zhvilluar dhe në disa qarqe të vendit, në disa prej tyre të qeta e në disa me tensione dhe shkatërrime. Një prej tyre ka qenë edhe ajo e Shkodrës sot, ku u sulmua edhe selia e PS, po ashtu edhe në Durrës, Fier dhe Elbasan.

FOTO GALERI
3/16

Top Channel