Udhëheqësit e BE-së mblidhen për Samitin e Fundvitit në Bruksel

11/12/2020 03:48

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian u mblodhën në Bruksel të enjten për një samit ambicioz që përfshin zgjidhjen e një ngërçi në lidhje me buxhetin prej 2.1 trilionë dollarësh dhe një paketë ndihmash për lehtësimin e krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19, si dhe vendosjen e standardeve të reja për të luftuar ndryshimin e klimës.

Udhëheqësit e 27 vendeve anëtare të BE-së do të diskutojnë gjithashtu vaksinat e COVID-19, rigjallërimin e marrëdhënieve me Uashingtonin dhe sanksionet ndaj Turqisë për shpimet në ujërat e kontestuara në lindje të Detit Mesdhe. Mbështetja e të gjitha vendeve anëtare për buxhetin dhe planin e rimëkëmbjes është përparësia kryesore e samitit. Polonia dhe Hungaria bllokuan paketën financiare sepse qasja ndaj fondeve do të lidhet për herë të parë me respektimin e shtetit ligjor. Të dyja vendet janë objekt i hetimeve të BE-së për minimin e pavarësisë së gjykatave dhe mediave dhe rrezikojnë të humbasin miliarda euro nga BE-ja.

Por Gjermania, e cila mban presidencën e rradhës të bllokut deri në fund të vitit, arriti një marrëveshje me të dyja vendet që do t’i lejojë të heqin veton. Ndërsa hynte në samit, Kancelarja gjermane Angela Merkel u tha gazetarëve se ajo dhe stafi i saj kishin punuar shumë për të gjetur një zgjidhje që u përgjigjet shqetësimeve të Hungarisë dhe Polonisë “duke ruajtur kushtëzimin dhe sundimin e ligjit siç e negociuam me Parlamentin Evropian”.

Një debat tjetër i ashpër midis vendeve anëtare të BE-së është një propozim për shkurtime më të shpejta të emetimeve të gazeve që shkaktojnë efektin serë. Propozimi i ri bën thirrje për një ulje 55% deri në vitin 2030 krahasuar me nivelet e 1990-ës, në vend të objektivit aktualisht prej 40% për të cilin është rënë dakord. Polonia është mes vendeve të Evropës Lindore që kundërshton objektivat e reja. Negociatat për Brexit-in janë gjithashtu në rendin e ditës për takimin dy-ditor./VOA

Top Channel