Tensione me Iranin/ SHBA dërgon avionë luftarakë në Lindjen e Mesme

11/12/2020 09:25

Ushtria amerikane dërgoi dy avionë bombardues B-52H nga Shtetet e Bashkuara në Lindjen e Mesme si pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme për të parandaluar Iranin nga sulmet e mundshme mes rritjes së rrezikut në rajon.

“Fluturimi nuk kishte të bënte me ndonjë veprim sulmues; kishte të bënte me parandalimin e Iranit nga ndërmarrja e veprimeve”, tha një zyrtar i lartë ushtarak amerikan për Zërin e Amerikës në kushte anonimiteti, duke shtuar se ushtria kishte parë “tregues shqetësues në Irak” së fundmi se Irani ose forcat e mbështetura prej tij mund të planifikojnë sulme.

Këto sinjale, së bashku me zvogëlimin e vazhdueshëm të numrit të trupave amerikane në Irak dhe përvjetorin e ardhshëm të sulmit amerikan në të cilin u vra komandanti i forcës elite Kuds, Qassem Soleimani, krijojnë një rrezik “mbi mesataren” për llogari të gabuara nga republika islamike, tha zyrtari i lartë i ushtrisë amerikane.

Të dy bombarduesit B-52H u nisën nga Baza e Forcave Ajrore Barksdale në Luiziana. Misioni në këtë rajon kishte për synim të parandalonte agresionin dhe të siguronte aleatët, sipas një deklarate të Shtabit Qendror të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, e cila mbikëqyr operacionet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.” Muajin e kaluar, Pentagoni njoftoi se do të tërhiqte 500 trupa amerikane nga Iraku para inaugurimit të presidentit vitin e ardhshëm.

Top Channel