Vrau 9 shqiptarë/ Serbia dënon ish ushtarin jugosllav

10/12/2020 11:49

Gjykata e Lartë në Beograd vendosi dënimin e Boshko Soldatovicit me 15 vjet burg për vrasjen e nëntë civilëve shqiptar 11 nëntorin e vitit 1991, në qytetin kroat të Bogdanovcit, jo shumë larg Vukovarit.

Organizata joqeveritare Fondi për të Drejtën Humanitare, e cila merret me krimet e luftës, vlerësoi se dënimi ishte i drejtë dhe i përshtatshëm për peshën e veprës së kryer. “Gjykimi nisi në 16 janar 2020 dhe përfundoi në 8 dhjetor 2020, me miratimin e vendimit të shkallës së parë, çka e bën këtë procedurë shumë efikase dhe njëkohësisht një shembull të gjykimit brenda një kohe të arsyeshme. Deri më tani, kjo është procedura me e shpejte e shkallës së parë në Serbi dhe kjo praktikë duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen”, tha Fondi në një deklaratë të tij.

Prokuroria e Krimeve të Luftës e ngriti në 12 dhjetor 2018, aktakuzën kundër Soldatovicit, një anëtar i Policisë Ushtarake të Brigadës së Dytë të ish-Ushtrisë Jugosllave (JNA).Bazuar në dëshminë e bashkëluftëtarëve të Soldatoviqit, gjykata vërtetoi se ai i kishte kryer vrasjet e  shqiptarëve. Fondi për të Drejtën Humanitare kujtoi në deklaratë se Prokuroria e Krimeve të Luftës në korrik të vitit 2019 ngriti padi penale kundër komandantit të JNA-së, Dushan Lonçar për krime në Bogdanovc, sepse si komandant i brigadës, anëtar i të cilit ishte Soldatovic, ai nuk bëri asgjë për të përcaktuar se kush vrau civilë, megjithëse ishte i pranishëm fizikisht në Bogdanovc. Deri më sot, Prokuroria nuk ka nisur asnjë hetim kundër Lonçarit.

Top Channel