Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka akuzuar Kinën se po shfrytëzon studentët dhe shoqatat studentore kineze për të infiltruar universitetet amerikane. Në komentet të mërkurën në Institutin Teknologjik të Xhorxhias, zoti Pompeo tha se Kina po përdor institucionet akademike amerikane për të vjedhur sekrete shkencore në mënyrë që t’i shërbejë planit të saj për “hegjemoni globale”.

“Partia Komuniste Kineze e di se nuk do të na arrijë kurrë në novacione,” tha zoti Pompeo. “Prandaj ajo dërgon qindra mijëra studentë në vit për të studiuar në Shtetet e Bashkuara”. Duke theksuar se studentët kineze janë të mirëpritur në Shtetet e Bashkuara, shefi i diplomacisë amerikane bëri thirrje për kontroll më të fortë të studentëve që vijnë në kuadër të shkëmbimeve arsimore dhe për ndalimin e grupeve studentore të lidhura me Kinën që përgjojnë aktivitetin e studentëve kinezë dhe zbatojnë axhendën e Partisë Komuniste Kineze.

Thirrjet e Sekretarit Pompeo për vigjilencë më të madhe në mjediset universitare janë të fundit në një seri sulmesh të ashpra të Uashingtonit ndaj praktikave të Pekinit. Më 3 dhjetor, John Ratcliffe, zyrtari më i lartë amerikan për zbulimin e cilësoi Kinën si kërcënimin më të madh ndaj demokracisë dhe lirisë në botë që nga Lufta II Botërore dhe tha se Pekini duke punuar fort për të arritur dominim global.

Nën Presidentin Trump, marrëdhëniet mes dy ekonomive më të mëdha të botës kanë rënë në nivelin më të ulët në dekada, pasi dy vendet janë përplasur lidhur me reagimin e autoriteteve kineze ndaj pandemisë dhe aktet ligjore të imponuara në Hong Kong. Shtetet e Bashkuara po përgatiten të vendosin sanksione të forta ndaj mallrave kineze në një luftë të ndërsjelltë tregtare me Kinën. Po ashtu do të ketë sanksione ndaj disa zyrtarëve kinezë, të cilët Uashingtoni i akuzon se kanë luajtur rol në skualifikimin e disa anëtarëve opozitarë të legjislaturës së Hong Kongut, sipas burimeve të brendshme në administratë.

Kjo masë do të prekë zyrtarë të Partisë Komuniste të Kinës, ndërkohë që administrata e Presidentit Trump vazhdon të ushtrojë presion ndaj Pekinit në javët e saj të fundit. Administrata e re amerikane do të marrë drejtimin e vendit më 20 janar 2021.

Top Channel