OKB: Deri në fund të shekullit temperatura mund të rritet për 3 gradë

10/12/2020 14:08

Ndonëse ngadalësimi ekonomik i shkaktuar nga pandemia e koronavirusit (COVID-19) këtë vit pritet të shkaktojë që emisionet e dioksidit të karbonit të bien me 7 për qind, bota është ende duke ecur drejt rritjes së temperaturave prej më shumë se 3 gradë Celsius deri në fund të këtij shekulli, thuhet në raportin e OKB-së.

Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin Jetësor (UNEP) ka publikuar në “Raportin e Emisioneve të Gazit 2020” se megjithatë, nëse qeveritë përmbushin premtimet e bëra në Marrëveshjen e Parisit për Ndryshimet Klimatike, emetimet mund të çojnë në nivele që janë në përputhje me qëllimin e marrëveshjes për të ruajtur rritje mesatare të temperaturës më pak se 2 gradë Celsius në raport me periudhën para-industriale.

Më tej thuhet se rikuperimi i gjelbër pas pandemisë globale mund të zvogëlojë emetimet e parashikuara të gazrave serrë deri në 25 për qind deri në vitin 2030 dhe ta sjellë botën më pranë arritjes së qëllimit të caktuar.

Viti 2020 mund të jetë një nga më të ngrohtit

Drejtoresha ekzekutive e UNEP-së, Inger Andersen tha se ky me siguri do të jetë një nga vitet më të ngrohta deri më tani.

“Viti 2020 është në rrugën e duhur për të qenë një nga më të ngrohtit, teksa zjarret në pyje, stuhitë dhe thatësira vazhdojnë të shkatërrojnë. Raporti i UNEP-së megjithatë tregon se një rikuperim i gjelbër pas pandemisë mund të zvogëlojë një pjesë të madhe të emetimeve të gazrave serrë dhe të ndihmojë në ngadalësimin e ndryshimeve klimatike”, tha Andersen.

Qeveritë duhet të mbështesin rikuperimin e gjelbër

Ajo u bëri thirrje qeverive anembanë botës për të mbështetur rikuperimin e gjelbër në fazën tjetër të ndërhyrjes fiskale kundër pandemisë së koronavirusit dhe për të rritur ndjeshëm ambiciet e tyre klimatike gjatë vitit 2021.

Në raport theksohet se rënia e pritshme e emisioneve të dioksid karbonit në vitin 2020 si rezultat i uljes së udhëtimeve, zvogëlimit të aktivitetit industrial dhe prodhimit të energjisë elektrike gjatë pandemisë rezulton në një reduktim të ngrohjes globale prej vetëm 0.01 gradë Celsius deri në vitin 2050./AA/

Top Channel