Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pranuar kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për masën disipliore shkarkim nga detyra për gjyqtarin Markelian Kuqo i Gjykatës së rrethit Korçë.

Kujtojmë se Kreu i inspektoriatit të lartë të drejtësisë, Artur Metani kishte kërkuar shkarkimin nga detyra të gjyqtarit pasi në mënyrë të vullnetshme me vendimet e tij liroi nga burgu Gerd Gjinararin të dënuar për vrasjen e grupeve rivale më 1997.

Njoftimi

Kryetarja Naureda Llagami njoftoi vendimin sipas të cilit KLGJ, në mënyrë unanime vendosi shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Korcës M.K.

Në përfundimet mbi hetimin e kryer, Inspektori i Lartë Artur Metani argumentoi se veprimet e mosveprimet e ndërmarra nga gjyqtari kanë cenuar besimin, që magjistrati duhet të përcjellë tek publiku në përmbushjen e misionit dhe rolit të tij në dhënien e drejtësisë, kanë diskretituar rëndë figurën dhe pozitën e gjyqtarit dhe kanë ulur dinjitetin e organit që përfaqëson, duke e bërë atë të pa denjë për vazhdimin e ushtrimit të funksionit të magjistratit.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur hetimin disiplinor ndaj gjyqtarit M.K. më 2 prill 2020, bazuar në një kërkesë të depozituar nga ministri i Drejtësisë, pasi gjyqtari më 14.02.2019 vendosi/urdhëroi lirimin e të dënuarit me burgim të përjetshëm Gerd Gjenerari, i gjetur fajtor për një vrasje të kryer në vitin 1997. Vendimi për lirimin u rrëzua nga Gjykata e Apelit Korcë gjashtë muaj më vonë.

Prej marrjes së detyrës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka ndarë shqetësimin publik për vendimmarrjet dhe veprimtarinë e institucioneve të tjera, lidhur me lirimet para kohe me kusht, duke përcaktuar si prioritet në fillimin e inspektimit të ILD-së, pikërisht këtë fenomen.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka në proces hetimi për vendimmarrje të ngjashme edhe magjistratë të tjerë dhe pas përfundimit të hetimeve do marrë vendimet përkatëse.

Top Channel