Vjen vlerësimi i parë/ Emiratet: Vaksina kineze, 86% efikase

09/12/2020 22:51

Një vaksinë kineze kundër koronavirusit është 86 përqind efikase, thonë Emiratet e Bashkuara Arabe, pasi vendi kreu një testim të fazës së tretë, në të cilin u përfshinë mijëra njerëz.

Vaksina e prodhuar nga grupi farmaceutik kombëtar kinez, Sinopharm është regjistruar zyrtarisht, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve e Emirateve të Bashkuara.

Ministria e Shëndetësisë tha se analizat nuk tregonin asnjë shqetësim serioz për sigurinë. Sidoqoftë, as Sinopharm dhe as Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë publikuar të dhëna të testimit. Njoftimi nuk saktësonte se sa nga ata që morën pjesë në testim u sëmurën dhe as se sa personave u ishte dhënë vaksina apo placebo. Nuk kishte po ashtu as informacione për efekte të mundshme anësore.

Sipas asaj që është e para deklaratë publike mbi efikasitetin e një vaksine, analiza gjeti se vaksina prodhon antitryla që sulmojnë virusin tek 99 përqind e personave që e kanë marrë atë dhe asnjë nga ata që e kanë marrë vaksinën nuk zhvilloi simptoma Covid-i. Kishte 31 mijë pjesëmarrës nga 125 kombësi në testim – tha Agjencia shtetërore e lajmeve e Emirateve të Bashkuara Arabe. Testimi i fazës së tretë nisi në korrik dhe vaksinës iu dha autorizim për përdorim emergjent nga Emiratet për punonjësit e vijës së parë të frontit në shtator. Edhe zyrtarë të lartë, përfshirë zëvendëspresidentin dhe sunduesin e Dubait, Mohammed bin Rashid al Maktoum, morën dozat në nëntor.

Vaksina e Sinopharm i është dhënë ndërkohë 1 milionë qytetarëve kinezë deri më tani sipas një programi emergjent. Ajo e Sinopharm është një nga katër vaksinat kineze antiCovid në fazën finale të zhvillimit.

Top Channel