Ministria e Jashtme Bullgare: Maqedonia e Veriut ka realizuar fushatë diplomatike e mediatike për të diskredituar pozicionin tonë

09/12/2020 13:43

Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë   ka reaguar në lidhje me hapjen e negociatave në Maqedoninë e Veriut.

Bullgaria zyrtare thotë se nuk e ka ndërmend të mbështesë Shkupin për sa kohë që sipas tyre, ekziston narrativ i trashëguar totalitar.

“Për fat të keq, gjatë vitit të kaluar, Republika e Maqedonisë së Veriut ka realizuar një fushatë diplomatike dhe mediatike për të diskredituar pozicionet e Republikës së Bullgarisë, ndërsa në publik janë dhënë informacione të pasaktë rreth pozitës Bullgare. Është koha që Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut të braktisë tezën manipuluese se Bullgaria konteston të drejtën e vetëvendosjes dhe identitetin e qytetarëve ose të drejtën për të thirrur gjuhën e tyre si të duan”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se Bullgaria ishte vendi i parë që njohu pavarësinë e Maqedonisë dhe se ndihmoi vendin në momentet më të vështira, Ministria e Jashtme Bullgare shtoi se Bullgaria nuk pranon që identifikimi i shtetasve të Republikës së Maqedonisë së Veriut të të jenë në konflikt me vendet fqinje dhe në dëm të interesave të tyre kombëtarë.

“Bazuar në përgjegjësinë për të mos sjellë çështje të hapura në BE dhe për të mbrojtur interesat, vlerat dhe autoritetin e saj, Republika e Bullgarisë do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje të përhershme që do të mundësojnë zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale dhe proces optimal të negociatave të Republikës së Maqedonisë së Veriut me BE”, thuhet në njoftim.

Top Channel