​Hoti: Po punojmë në fuqizimin ekonomik të grave për të parandaluar dhunën ndaj tyre

09/12/2020 15:48

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se po punojnë në fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave si masë parandaluese për eliminimin e dhunës ndaj tyre.

Në konferencën online të nivelit të lartë për Konventën e Stambollit, nga Këshilli i Evropës dhe misioni i OSBE-së, kreu i qeverisë tha se vendi ka avancuar në përfshirjen e konventave ndërkombëtare në legjislacionin dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Kemi avancuar në përfshirjen në legjislacionin tonë, kornizës tonë ligjore dhe kushtetuese të gjitha konventat ndërkombëtare që janë me rëndësi në këtë fushë. Këtu disa nga deputetet që janë prezentë në këtë ngjarje kanë kontribuar drejtpërdrejtë duke marrë lidershipin që këto konventa ndërkombëtare të bëhen pjesë e Kushtetutës tonë”, tha ai.

Në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike, kryeministri Hoti tha se kanë ndarë 2 milionë euro për fuqizimin e grave në biznes.

“Po punojmë në fuqizimin ekonomik të grave dhe të vajzave si masë parandaluese për të eliminuar këtë dukuri plotësisht nga shoqëria jonë. Besoj se në periudha afatgjate kjo është qasja më adekuate për të fuqizuar ekonomikisht gratë dhe vajzat në shoqëri. Krahas kësaj vjen fuqizimi i tyre edhe në familje”, u shpreh ai.

Krahas këtyre, i pari i qeverisë tha se do të mbështesin qendrat e strehimoreve për gratë dhe vajzat që bien pre e dhunës ndaj tyre.

Do të vazhdojmë të mbështesim punën e strehimoreve në veçanti që të ofrojë përkujdesje adekuate për viktimat e dhunës duke iu siguruar qëndrueshmëri financiare. Unë besoj që nga viti i ardhshëm këtë mund të bëjmë pjesë e institucioneve të Kosovës. Kjo në mënyrë që shërbimet që i ofrojnë këto qendra të jetë pjesë e planifikimeve të rregullta buxhetore”, tha ai.

Kuvendi i Kosovës muaj më parë ka përfshirë në Kushtetutën e vendit, Konventën e Stambollit që garanton të drejta më të mëdha ndaj grave./KosovaPress/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA