Eurodeputetët thirrje Këshillit Evropian: Shqipëria meriton të ecë përpara në rrugën drejt anëtarësimit në BE

08/12/2020 10:29

Eurodeputetë nga grupet kryesore politike si dhe anëtarë të Komitetit të Politikës së Jashtme në Parlamentin Evropian i kanë bërë thirrje Këshillit Evropian për miratimin e kuadrit të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në takimin e sotëm të Ministrave të Çështjeve Evropiane.

Në deklaratën në fjalë, mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të nënshkruar nga më shumë se 20 eurodeputetë, përfaqësues të grupeve politike nxisin të gjitha palët e përfshira në gjetjen e një zgjidhjeje për të siguruar që negociatat e pranimit të fillojnë para fundit të vitit.

Duke paralajmëruar se bllokimi aktual në bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë po rrezikon besueshmërinë e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, ata i bëjnë thirrje Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut të gjejnë një kompromis mbi çështjet dypalëshe në pritje për të shmangur shtyrjen e procesit të pranimit më tej.

Mbi çështjen në fjalë ka reaguar edhe kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili citon një pjesë të deklaratës.

“Shqipëria e meriton të ecë përpara në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”, vlerësojnë eurodeputetët, duke nënvizuar përpjekjet e gjithanshme në reforma, në mënyrë të veçantë në fushën e drejtësisë, gjatë viteve të fundit, sikurse vlerësohet edhe në vlerësimin e Komisionit Evropian.

Po kështu më tej në kërkesë shkruhet se:

“Bullgaria duhet të miratojë hapjen e konferencës ndërqeveritare (IGC) me Maqedoninë e Veriut sa më shpejt të jetë e mundur dhe në çdo rast në dhjetor, duke pranuar kështu përpjekjet e vendit në procesin e pranimit në BE. Maqedonia e Veriut, në rolin e saj si një vend i ardhshëm i pranimit, duhet gjithashtu të bëjë çdo përpjekje të mundshme nga ana e saj për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA