Nuk shënon Cristiano Ronaldo, as Dybala, Kulusevski apo Cheisa, por sërish Juventusi fiton. E bën edhe në derbin përballë Torinos, kur deri në minutën e 77-të ishte në disavantazh të një goli, të realizuar nga N’koulou që në minutën e 9-të.
Realizoi Cuadrado në minutën e 59-të, por sistemi VAR ndërhyri duke e anuluar për pozicion jashtë loje, pasi një futbollist i “Zonjës së Vjetër” ndodhej në rrezen e portierit në momentin e goditjes së kolumbianit.
Shpëtimi për skuadrën e drejtuar nga Andrea Pirlo do të nistë fillimisht nga koka e Mc’Kennie-t, që devijoi drejt rrjetës krosimin e Cuadrados dhe më pas nga Leonardo Bonucci, që kishte lënë mbrojtjen për të bërë heroin në fundin e sfidës, kur koha për të reaguar ishte e limituar. Një humbje e hidhur për Torinon, që me pak më shumë kujdes do të merrte një pikë në derbi, pse jo edhe fitoren.
Top Channel