Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së tha të enjten se dëmi që COVID-19 ka bërë globalisht nuk do të zhbëhet vetëm nga një vaksinë dhe se një rimëkëmbje e plotë nga pandemia do të marrë vite, ndoshta dekada. “Ndikimi social dhe ekonomik i pandemisë është jashtëzakonisht i madh dhe në rritje”, tha Antonio Guterres në një seancë të posaçme të nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për vlerësimin e masave aktuale globale ndaj pandemisë së koronavirusit.
Një raport i OKB-së i lëshuar të enjten tha se rreth 32 milionë njerëz mund të shtyhen në varfëri ekstreme këtë vit nga pandemia. OKB-ja është përpjekur të trajtojë pasojat, duke u dhënë ndihmë humanitare miliona njerëzve. Shefi i OKB-së gjithashtu ka bërë presion për miratimin e një pakete stimuluese me vlerë të paktën sa 10 përqindshi i PBB-së globale dhe për lehtësimin e borxhit për të gjitha vendet në nevojë. Gati 80 krerë shtetesh po mbajnë fjalime në takimin dy ditor që po mbahet në internet, i cili do të përfshijë gjithashtu prezantime nga shkencëtarë, ekspertë dhe krerë të disa agjencive të OKB-së, përfshirë drejtorin e përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Numri global i vdekjeve nga koronavirusi ka arritur në mbi 1.5 milionë, ndërsa numri i rasteve ka arritur në mbi 65 milionë, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins. Shpërndarja e vaksinave të para të aprovuara kundër COVID-19 pritet të fillojë këtë muaj. Guterres ka bërë thirrje vazhdimisht për një qasje të barabartë tek vaksinat e kornoavirusit për të gjitha vendet. Në fund të prillit, OBSH-ja, së bashku me partnerët publikë dhe privatë, filluan nismën ACT-Accelerator dhe COVAX për vaksinat. Nisma është e përqendruar në krijimin e kushteve për qasje të barabartë tek testet, trajtimet dhe vaksinat për të gjitha vendet e botës. Shefi i OKB-së, megjithatë, tha se kishte një mungesë financimi prej 28 miliardë dollarësh, përfshirë 4.3 miliardë dollarë që duheshin urgjentisht për dy muajt e ardhshëm.
Midis udhëheqësve që folën në samit ishte edhe Presidenti i Bashkimit Evropian, Charles Michel, i cili sugjeroi që vendet të nënshkruanin një traktat pandemie për të përmirësuar përgjigjen ndaj pandemive globale në të ardhmen. “Cili duhet të jetë objektivi i këtij traktati? Objektivi duhet të jetë një përgjigje më e mirë”, tha ai. “Të bëjmë një punë më të mirë në të gjitha fushat në të cilat kemi vërejtur se duhet të forcojmë bashkëpunimin tonë.”
Presidenti francez Emmanuel Macron propozoi që OBSH-ja të krijonte një sistem alarmi për të paralajmëruar vendet më herët, si dhe zgjerimin e qasjes tek vaksinat për vendet e varfra. “Franca propozon një mekanizëm donacionesh në mënyrë që një pjesë e dozave të para të vaksinës që vihen në dispozicion të përdoren për të vaksinuar grupet me përparësi të lartë në vendet në zhvillim”, tha ai.
Vazhdon rritja e rasteve në SHBA
Sekretari amerikan i Departamentit të Shëndetësisë, Alex Azar pritet të përfaqësojë administratën e Presidentit Trump në samitin e OKB-së. Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së do të takohet personalisht të enjten pasdite me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në OKB, Kelly Craft dhe koordinatoren e përgjigjes ndaj koronavirusit në Shtëpinë e Bardhë, Dr. Deborah Birx dhe ndihmësin e saj, Irum Zaidi. Shtetet e Bashkuara udhëheqin botën me gjithsej më shumë se 14 milionë raste me COVID-19 dhe më shumë se 275,700 vdekje. Shtrimet në spital për shkak të pandemisë së koronavirusit arritën në 100,000 të mërkurën për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, sipas Projektit të Monitorimit të Pandemisë COVID-19. Projekti njoftoi gjithashtu për gati 200,000 raste të reja të konfirmuara.
Dr. Robert Redfield, drejtor i Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, paralajmëroi të mërkurën se periudha dhjetor-shkurt do të shoqërohet me një rritje të infeksioneve në të gjithë vendin. “Në fakt, unë besoj se kjo do të jetë koha më e vështirë në historinë e shëndetit publik të këtij vendi”, tha Redfield në një prezantim të drejtpërdrejtë të organizuar nga Fondacioni i Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Ai tha se rritja aktuale e rasteve ishte më e madhe se ato të mëparshmet, duke vënë në dukje shtrirjen gjeografike dhe trajektoren më të pjerrët të ritmeve të infeksionit dhe vdekjeve, pasi Shtetet e Bashkuara tani po regjistrojnë afërsisht 2,000 vdekje në ditë. Redfield paralajmëroi gjithashtu për mbingarkimin e spitaleve në të gjithë vendin, që po përballen me mungesa të shtretërve dhe staf të mbingarkuar.
Ish-presidenti amerikan Barack Obama tha se do të vaksinohej kur vaksina kundër COVID-19 të konsiderohej e sigurt dhe efektive. Në një intervistë transmetuar të enjten në radion satelitore SiriusXM, Obama tha se ai madje po mendonte ta bënte vaksinën në televizion si pjesë e një fushate publike për të bindur amerikanët që janë skeptikë ndaj vaksinës, veçanërisht atyre në mesin e afrikano-amerikanëve. CNN njoftoi se edhe pararendësit e Barack Obamës, ish-presidentët Bill Clinton dhe George W. Bush po peshonin mundësinë e vaksinimit para kamerave televizive./VOA
Top Channel