Mungesë mjekësh në kohë pandemie/ Italia, sytë nga emigrantët

03/12/2020 12:07

Italia u godit rëndë nga vala e parë e pandemisë COVID-19, me shpërthimin që shtoi problemet ekzistuese sociale dhe pabarazinë në sektorin e kujdesit shëndetësor publik.

Shkurtimet e përvitshme të buxhetit dhe një fuqi punëtore e shkuar në moshë kanë rezultuar në mungesa serioze të personelit në spitalet në të gjithë Italinë, vend që regjistron numrin e dytë më të lartë të vdekjeve në Evropë.

Në fund të nëntorit, me vendin që po përballet me valën e dytë të rëndë të koronavirusit, spitalet në zonat me rrezik të mesëm të Umbrias dhe Piemontes bënë thirrje urgjente për staf mjekësor – megjithëse njoftimet për punë përjashtonin punëtorët e lindur jashtë vendit. Sipas ligjit në Itali, qytetarët e BE-së, banorët e përhershëm dhe ata që jetojnë me status refugjati ose mbrojtje humanitare kanë të drejtë të punojnë në spitalet publike.

Përveç kësaj, qeveria miratoi një dekret për gjendjen e pandemisë në fillim të vitit 2020 i njohur si “Cura Italia”, i cili hapi përkohësisht punë publike për të gjithë personelin mjekësor të lindur jashtë të pajisur me leje pune. Autoritetet në këto dy rajone u tërhoqën pas reagimeve. Një numër mjekësh të huaj tani janë angazhuar në vijën e frontit në Itali. Sipas të dhënave, 77500 profesionistë shëndetësorë të lindur jashtë vendit punojnë aktualisht në Itali, përfshirë 22.000 mjekë, 38.000 infermierë dhe punonjës të tjerë të kujdesit shëndetësor, shumica e të cilëve janë arsimuar në Itali. Shumica janë të vetëpunësuar ose të punësuar në sektorin privat, shpesh në pozicione më pak të sigurta. Vetëm 10% janë të punësuar në sektorin publik.

Top Channel