Milani arriti një fitore spektakolare dhe me përmbysje 4-2 ndaj Celtic Glasgow-t në “San Siro”, e cila shërbeu për të siguruar matematikisht kualifikimin për në fazën e 1/16-ave të Europa League-s, teksa në takimin tjetër të Grupit H Sparta e Pragës u mposht 2-1 nga Lille, që vazhdon të mbajë vendin e parë në grup me 11 pikë, një më shumë se kuqezinjtë.
Duke iu kthyer takimit të Milanos, skuadra e Stefano Piolit pati një start të tmerrshëm, teksa brenda 14 minutave të para pësoi dy gola, që kishin si autorë Rogic dhe Edouard. Gjithsesi, “Djalli” arriti të barazonte shifrat në pjesën e parë, pikërisht në minutat 24’ dhe 26’ me finalizimet e Calhanoglu (goditje e lirë) dhe Castillejo. Gjatë fraksionit të dytë kuqezinjtë mbyllën llogaritë me Celtic me golat e Hauge dhe Diaz. Edhe nëse e humb ndeshjen e fundit ndaj Spartës së Pragës, Milani e ka të sigurt vendin e dytë.
Tottenhami barazoi 3-3 në fushën e LASK Linzit në Grupin J, megjithatë kjo pikë i mjaftoi për të siguruar kualifikimin një ndeshje para fundit, pasi edhe nëse humbet ndaj Antwerpit (fitoi sot 3-1 ndaj Ludogorest dhe kryeson me 12 pikë) dhe LASK-u arrin të triumfojë ndaj Ludogoretsit, i la pas austriakët falë bilancit pozitiv në sfidat direkte (Tottenhami ka 10 pikë, LASK-u 7).
Sa i përket sfidës së zhvilluar në Austri, për vendasit e LASK Linzit zhbllokoi takimin Michorl, ndërsa në fundin e pjesës së parë barazoi me penallti Gareth Bale.
Sapo nisi pjesa e dytë, skuadra e Mourinhos kaloi në epërsi me Son Heung-Min, ndërsa në të 84-tën barazoi Eggestein. Dele Alli me 11-metërsh i dha për herë të dytë në këtë ndeshje avantazhin Tottenhamit, por në shtesë goli i Karamokos bëri që të mos kishte fitues.
U mbyll pa fitues dhe me rrjeta të papkrekura përballja mes Crvena Zvezdas dhe Hoffenheimit, me skuadrën gjermane që siguron vendin e parë, ndërsa serbët, tashmë të kualifikuar, mbeten të dytët, çfarëdo që të ndodhë në sfidat e fundit. Takimi tjetër i grupit mes Gentit dhe Liberecit u mbyll 1-2.
Rezultatet e ndeshjeve (ora 18:55)
Milan – Celtic 4-2
AEK Athens – Braga 2-4
Antwerp – Ludogorets 3-1
CSKA Moscow – Wolfsberger 0-1
Feyenoord – D. Zagreb 0-2
Crvena Zvezda – Hoffenheim 0-0
FK Zorya Luhansk – Leicester 1-0
Gent – Liberec 1-2
LASK – Tottenham 3-3
Lille – Sparta Prague 2-1
Qarabag – Maccabi Tel Aviv 1-1
Sivasspor – Villarreal 0-1
Top Channel