Makth pa fund në Greqi/ 111 viktima dhe 2199 raste të reja në 24 orët e fundit

02/12/2020 01:33

Në një makth pa fund është shndërruar vala e dytë e pandemisë së koronavirusit në Greqi, ndërsa përsëri janë regjistruar mbi 100 të vdekur gjatë ditës së martë.

Sipas autoriteteve shëndetësore me 111 viktimat e 24 orëve të fundit numri i personave që kanë humbur jetën nga Covid-19 ka shkuar në 2517. Edhe numri i të prekurve ka qenë përsëri i lartë, 2199, duke e çuar në total prej fillimit të pandemisë numrin e të infektuarve në gati 107.500. Përsëri për të pestën javë Selaniku mbetet zona më e nxehtë me 538 raste ditore, i ndjekur nga Athina me 413 dhe Larisa me 112. Ndërkohë është ulur shumë pak numri i të intubuarve që ka shkuar në 596.

Specialistët e pandemisë dhe burime qeveritare shprehen se ndoshta do të ketë përsëri një shtyrje të mbylljes se përgjithshme të paktën edhe për një javë deri në mesin e muajit dhjetor. Ngurrimi i specialistëve vjen pas shifrave të frikshme të nëntorit ku u regjistruan 1780 vdekje nga koronavirusi ose 74% e numrit të përgjithshëm, prej fillimit të pandemisë.

Gjithashtu thirrje për të vazhduar lockdown-in e plotë ka nga sindikata e mësuesve që kërkon të mos hapen shkollat, të pakten deri pas festave të fund vitit. Ndërsa në Selanik vazhdon gjendja e vështirë në spitale, media lokale kanë publikuar edhe fotografi nga varrezat e qytetit ku hapen çdo ditë, dhjetëra varre të reja.

Gjithsesi një rreze shprese ka hedhur një studim i orëve të fundit të Universitetit Aristotelis të Selanikut sipas të cilit pas 15 ditësh do të përgjysmohet numri i pacientëve që kurohen nga Covid-19 në spitalet e qytetit, si dhe numri i rasteve të përditshme të të prekurve.

Top Channel