Vala e dytë e pandemisë, bum i bizneseve funerale në Rusi

01/12/2020 15:28

Vala e dytë e pandemisë e ka prekur rëndë Rusinë por pavarësisht shifrave të larta të infektimeve dhe viktimave, Kremlini thotë, se e ka nën kontroll situatën.

Në Rusi Moska ishte prekur më rëndë gjatë valës së parë  por aktualisht janë prekur edhe rajonet. Në shumë qytete kapacitetet nëpër spitale janë në limit. Sipas statistikave zyrtare kanë vdekur gati 40.000 vetë prej koronavirusit.

Ndërsa mediat flasin për një katërfishim të numri të vdekjeve në vend krahasuar me një vit më parë. Dhe ata që po e përcaktojnë më zëshëm këtë janë punonjësit e kompanive funerale, që thonë se është shtuar shumë volumi i punës së tyre.

Normalisht varrimet në Rusi janë një ceremoni e madhe familjare, ku vijnë të gjithë. Por në pandemi lamtumira nga të dashurit është ndryshe dhe frika është e madhe.

Shumë që i tremben infeksionit tani nuk marrin pjesë në ceremonitë mortore dhe i shprehin ngushëllimet në distancë përmes telefonit. Në kohën e pandemisë disa agjenci funeralesh ofrojnë madje edhe imazhe si live stream nga varrezat. Ky biznes është në bum.

 

Top Channel