Shembet observatori i famshëm Arecibo në Puerto Rico, pas dështimit të kabllove (Foto impresionuese)

01/12/2020 20:23

Radio-teleskopi më i famshëm në botë Arecibo në xhunglën e Puerto Rico, i cili ka udhëhequr zbulimet astronomike dhe gjuetinë për ‘jetë aliene’, është shembur sot tërësisht pas gjysmë shekulli në shërbim të shkencës.

Kabulli kryesor që mbante receptorin kryesor 900-ton të sinjaleve, u këput mëngjesin e sotëm, duke e lëshuar strukturën masive në mes të pjatës reflektuese 150 metra poshtë.

Observatori Arecibo kishte pësuar një tjetër avari në gusht, kur u këput një prej kabllove ndihmëse, çka shkaktoi një të çarë 30 metra në pjatën me diametër rreth 350 metra.

Një tjetër mbajtëse kishte dështuar në nëntor, çka kishte vulosur fatin e impjantit dhe inxhinierët vendosen për nxjerrjen e tij jashtë shërbimi.

Observatori Arecibo njihet për zbulimin e sinjaleve pulsuese të hapësirës, kapjen e tipareve gjeologjike të Marsit apo zbulimin e asteriodit Bennu që kaloi pranë tokës, si dhe është shfaqur në filma të famshëm si seria e 1995 e James Bond, GoldenEye.

Teleskopi gjigand është përdorur në programet e kërkimit të inteligjencës jashtë-tokësore, pasi me vendndodhjen e tij shkencëtarët llogarisin se mbulon një të tretën e kozmosit.

Shembja e tij ka lënë shkenëtarët të shtangur pasi ishin mbështetur prej dekadash te teleskopi që deri kohët e fundit ishte më i madhi në botë.

Arecibo i kishte rezistuar uraganeve, lagështirës tropikale dhe një serie tërmetesh, por dështimet mekanike sollën fundin e tij.

Impjanti kishte qenë gjithashtu një nga pikat e referimit të studentëve dhe tërhiqte rreth 90,000 vizitorë në vit.

“Jam një nga studentët që e kam vizituar atë”, tha profesor Abel Méndez, profesor fizike e astrobiologjie në universitetin e Puerto Rico.

“Bota humbet shumë pa teleskopin, dhe Puerto Rico akoma më shumë”.

Lexo edhe: https://top-channel.tv/2020/11/20/shba-mbyll-teleskopin-me-te-famshem-hapesinor-arecibo-ne-xhunglen-e-puerto-rico-fotot/

Top Channel