Pensilvani, gjykata certifikon Biden/ Rrezohet meraku i Trump

29/11/2020 20:27

Gjykata më e lartë e Pensilvanisë të shtunën në mbrëmje hodhi poshtë një urdhër të një gjykate më të ulët që kishte ndaluar shtetin të çertifikonte dhjetëra gara të zgjedhjeve të 3 nëntorit në padinë e fundit të depozituar nga republikanët që po përpiqen të sfidojnë fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden në këtë shtet vendimtar.

Gjykata e Lartë e këtij shteti, në një vendim njëzëri, hodhi poshtë urdhrin tre ditor, duke thënë se padia ishte ngritur muaj pas skadimit të një afati kohor të ligjit njëvjeçar të Pensilvanisë për votimin me postë që lejonte sfidat ndaj tij. Gjyqtarët gjithashtu vunë në dukje atë që e quajtën kërkesë të tepruar në padi që gjithë procesi zgjedhor të rrëzohej në mënyrë retroaktive.

Presidenti Donald Trump dhe avokati i tij, Rudy Giuliani, ndërkohë, kanë pretenduar në mënyrë të përsëritur dhe të pabazë se demokratët falsifikuan fletëvotimet me postë për të vjedhur fitoren nga zoti Trump. Zoti Biden fitoi ndaj zotit Trump me më shumë se 80,000 vota në Pensilvani, një shtet që presidenti e kishte fituar në vitin 2016.

Padia që ishte paraqitur para një jave nga anëtari republikan i Kongresit Mike Kelly i Pensilvanisë veriperëndimore, pretendonte se ligjin për votimin me postë i shtetit ishte antikushtetues.

Kelly dhe paditësit e tjerë republikanë kishin kërkuar që të zhvlerësoheshin 2.5 milionë fletëvotimet me postë dërguara sipas ligjit – shumica e tyre nga demokratë – ose të anuloheshin rezultatet e zgjedhjeve dhe të udhëzohej legjislatura me shumicë republikane e shtetit, të përcaktonte elektorët e kolegjit presidencial të Pensilvanisë.

Hedhja poshtë e padisë vjen pasi republikanët kanë humbur një sfidë ligjore të paraqitur në gjykatat shtetërore dhe federale në Pensilvani nga fushata e zotit Trump dhe aleatët e saj republikanë.

Top Channel