Një galeri arti në Itali, ka rinxjerrë në stenda për publikun, veprën e artistit austriak Gustav Klimt, për të parën herë që kur ajo u gjet pas zhdukjes prej plot 23 vitesh.
Galeria Ricci Oddi në Piacneza, ka rikthyer në ekspozim “Portretin e një Gruaje”, duke thënë se “ajo është dhuratë për qytetin e Piacenza-s, i cili është sprovuar aq shumë nga pandemia, që ka goditur Italinë dhe gjithë botën”.
Piktura – që është një prej shumë portreteve që Klimt ka përfunduar gjatë jetës së tij – ishte vjedhur nga galeria në shkurt të vitit 1997.
Ajo u gjet në oborrin e të njëjtës galeri, në dhjetor të vitit 2019 nga kopshtarët. Piktura ishte fshehur pas një porte të trashë metalike, e mbështjellë në plastikë.
Ende nuk është e qartë se çfarë ka ndodhur me pikturën gjatë kohës që ajo konsiderohej e zhdukur dhe nëse është larguar apo jo ndonjëherë nga ambientet e galerisë.
Top Channel