Mijëra protestues në Francë kundër ligjit që ndalon filmimin e policëve (Foto, video)

28/11/2020 18:42

Protestues në të gjithë Francën dolën sot në protesta masive kundër ligjit të urryer që ndalon filmimin e fytyrës së policëve në veprim, për të cilin publiku dhe kritikët kanë thënë se nxit pandëshkueshmërinë dhe shkeljet e të drejtave nga organet e ligjit.

Protestuesit ishin organizuar në shumë qytete të mëdha si  Paris, Marseilles, Lyon, Brest e Nice, megjithë kufizimet e pandemisë së Covid-19. Ngjarja kryesore po zhvillohet në sheshin Place de la République në kryeqytet.

Demonstruesit ngritën zërin e tyre kundër ligjit të sigurisë publike të aprovuar në parlament kësaj jave, i cili ndalon filmimin e oficerëve të policisë në detyrë çka sipas tyre shoqërohet me gjobë €45,000 madje dhe një vit burg, me qëllim mbrojtjen nga publikimi i identitetit të tyre apo ngacmimet online.

Kritikët thonë se kjo mund të përdoret kundër gazetarëve që dokumentojnë brutalitetin e policisë apo forma të tjera të abuzimeve, duke shkelur lirinë e shprehjes.

Protestat u organizuan nga sindikatat e punës por mbështetësit e tyre ishin të shumtë.

Vetëm dy ditë më parë tre policë francezë u filmuan duke rrahur brutalisht një person me ngjyrë në studion e tij private, pas një debati që kishte lindur për mos-mbajtjen e maskës në rrugë.

Lëvizja e Jelekëve të Verdhë në Francë ka ndezur ndjenjën pakënaqësisë popullore për pabarazinë ekonomike. Abuzimet e policisë ndaj njerëzve me ngjyrë janë bërë më të dukshme vitet e fundit vetëm falë kamerave të celularëve dhe mediave sociale.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA