Itali/ Ulen infektimet, numri i viktimave mbetet i lartë

28/11/2020 19:00

Në Itali, të dhënat ditore flasin për rënie të numrit të infektimeve, por numri i viktimave vijon të mbetet në shifra të larta.

Kështu sipas raportimeve zyrtare në Itali të shtunën janë konfirmuar pozitiv me covid 19  26 323 persona,  ndërsa numri i viktimave është 686 persona që është më i ulët se një ditë më parë ku u shënua rekord viktimash në valën e  dytë të pandemisë.

Në Itali numri total i të infektuarve ka shkuar në rreth 1 565 000  persona, ndërsa  viktimat tashmë kanë arritur në 54 363 që nga fillimi i pandemisë. Në të dhënat e së shtunës bie në sy ulja e numrit të të shtuarve ne terapi intensive, ku aktualisht numërohen 3762 pacientë. Lombardia vijon të jetë rajoni më i goditur nga covid 19, ku të shtunën u shënuan 4615 raste pozitive, e ndjekur nga Veneto me 3498 dhe Campania me 2729 infektime.

Gjithsesi Italia prej ditësh vijon të mbetet vendi europian me më shumë infektime dhe viktima, ndërsa në shtete te tjera si Franca, Spanja apo Britania e Madhe, kurba e infektimeve është ulur ndjeshëm. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për viktimat që në këto shtete vijon të jetë i konsiderueshëm. Italia renditet e pesta në Evropë për nga numri i infektimeve, ndërsa për nga numri i viktimave vjen e dyta pas Britanisë së Madhe që deri më tani numëron 58 030 viktima.

Top Channel