E ndaluan për maskën, i gjetën emigrantë/ Drejtuesi i mjetit mohon të ketë shkelur ligjin: Më kërkuan ndihmë dhe i mora në makinë

27/11/2020 19:50

Policia e ndaloi Nikolin Gjetën pasi konstatoi se drejtuesi i mjetit dhe katër pasagjerët nuk kishin vendosur maskë anticovid.

Por gjatë verifikimeve të mëpashme u qartësua se i riu po transportonte katër emigrantë që i kishin premtuar se do ta paguanin  200 euro për t’i transportuar nga Tirana në Kukës.

Por i dyshuari këmbënguli në Gjykatë se nuk e ka shkelur ligjin pasi sipas tij ai po qarkullonte me makinë kur krejt rastësisht iu bë autostop dhe iu kërkua ndihmë . Unë nuk kuptoj anglisht dhe mendova që po i ndihmoja shton Gjeta , ndërsa emigrantët tregojnë se pas Greqisë udhëtuan në këmbë nëpër SHqipëri dhe se synonin Francën.

Pandemia ka kufizuar lëvizjet por jo për emigrantët e paligjshëm kryesisht nga Siria dhe Afganistani që po vazhdojnë ta përdorin Shqipërinë si urë kalimi drejt vendeve te Evropës. Por dhjetëra shtetas shqiptarë janë arrestuar gjatë kësaj kohe si ndihmës, ndërkohë që emigrantët dërgohen herë në qendrën e azil kërkuesve dhe herë në qendrën e Karecit.

Policia kufitare konfirmon për Top Channel  se gjatë këtij viti  janë kapur në kufi mbi 15 mijë emigrantë të paligjshëm. Prej tyre 5 mijë rezultojnë si përsëritës pasi konstatohen dy deri në tre herë të zbuluar dhe të kthyer pas.

Top Channel