“Modestia, moda më e vjetër e botës”/ Modelja amerikane lë pasarelën prej pikëpamjeve fetare

26/11/2020 20:06

Modelja amerikane Halima Aden thotë se po heq dorë nga modelingu në pasarela pasi kompromentojnë besimin e saj fetar.

23-vjeçarja është shfaqur më parë në kopertinat e revistave “British Vogue”, “Vogue Arabia” dhe “Allure”.

Duke njoftuar vendimin e saj në Instagram, ajo thotë se pandemia e koronavirusit i ka dhënë kohë të reflektojë dhe të mendojë se cilat janë vlerat e saj si një grua muslimane.

“Të jesh e veshur me hixhab është një rrugëtim plot me ulje e ngritje”, tha ajo.

Duke folur për punën e modelingut dhe mënyrën sesi kjo bie në kundërshtim me vlerat e saj fetare, ajo shton: “Ia vë fajin vetëm vetes që deri tani kam vlerësuar më shumë mundësitë sesa atë që ka kuptim”.

Ajo shton se shumica e problemeve vijnë prej mungesës së “stilistëve për gra muslimane” në mënyrë që ato të kuptojnë se përse hixhabi (shamia e kokes) është kaq i rëndësishëm”.

Ajo shton se ka marrë mbështetje nga motrat modele Bella e Gigi Hadid e gjithashtu nga këngëtarja Rihanna.

Halima ka lindur në një kamp refugjatësh në Kenia nga prindër somalezë, para se të vendosej në SHBA në moshën gjashtë-vjeçare.

Vajza bukuroshe u pikas më tej nga agjencia IMG Models, dhe në moshën 18 vjeçare ishte finaliste e konkurrimit Miss Minnesota në SHBA.

Halima ishte vajza e parë që mbante shami koke në konkursin e bukurisë dhe shpejt u bë e njohur për stilin modest të veshjes në pasarelë.

Ajo ka marrë pjesë në fushatën e modës dhe parfumeve nga Rihanna, Fenty Beauty, si dhe atë të markës së Kanye West, Yeezy.

Modelja shton se me punën e saj ka kompromentuar shumë herë besimin fetar, duke shtuar se ka humbur lutjet e përditshme, apo se ka pozuar pa shami koke por duke e zëvendësuar atë me diçka tjetër.

Në shkurt ajo thoshte për rrjetin BBC: “Modestia nuk është vetëm për një kulturë, dhe jo për një grup të vetëm femrash. Modestia është moda më e vjetër e botës. Ajo ka qenë me ne që prej nisjes së kohërave dhe do të vijojë”.

FOTO GALERI
1/3
Halima Aden lë pasarelën prej pikëpamjeve fetare

Top Channel