Francë/ Policia filmohet duke rrahur producentin në studion muzikore (video)

26/11/2020 21:29
Michel flet me gazetaret jashte stacionit te policise

Tre oficerë të policisë franceze janë pezulluar sot pasi u filmuan duke rrahur dhe ofenduar me baza racore, një producent muzike në studion e tij në Paris.

Një hetim zyrtar është hapur për sjelljen e oficerëve, i treti i këtij lloji brenda një jave.

Zhvillimi vjen dy ditë pas miratimit në parlament të ligjit të kontestuar për shtimin e pushteteve të policisë për periudhën e pandemisë.

Viktima e sulmit, i identifikuar vetëm si Michel, po kthehej të shtunën në studion e tij në zonën 17th Arrondissement në Paris, kur u ndalua nga policët sepse nuk mbante maskë. Tre oficerët, dy prej të cilëve në uniformë, dolën nga makina dhe e shtynë Michel nga dera, brenda studios të tij.

“Pa dëgjuar asnjë fjalë, ndjeva që më shtynin e më tërhiqnin. Nuk e dija çfarë po ndodhte, nisa të thërras për ndihmë”, thotë Michel, drejtor i kompanisë Black Gold Corp Studios.

Në pamje shihen më pas policët që e godasin me shkelma në kokë dhe me shkopinj gome në trup. Michel thotë se nuk besonte se ata ishin oficerë policie dhe shton se gjatë rrahjes ata e ofendonin në mënyrë racore.

“Dëgjova ‘zezak i ndyrë’ disa herë. Më goditën vazhdimisht me shkopinj,” thotë viktima.

Pasi kishte kërkuar ndihmë nga kolegët një kat më poshtë dhe me gjakun që i rridhte nga koka, Michel dhe të tjerët kishin arritur të nxirrnin jashtë oficerët. Por ata nuk u mjaftuan me kaq pasi morën armën e gazit lotsjellës dhe qëlluan një granatë brenda apartamentit.

Tre policët thirrën përforcime dhe pasi nxorrën armët kërkonin që Michel dhe të tjerët të dilnin jashtë.

“Kisha frikë, mendoja se ishte dita ime e fundit … vazhdoja të thërrisja ‘Nuk kam bërë asgjë’, por ata vazhdonin të thërrisnin se duhet të shtrihesha përtokë.”

Pasi dolën jashtë, tre policet vazhduan të rrihnin Michel dhe të tjerët.

“Papritur një prej tyre thirri, ‘kamera, kamera’. Dikush po filmonte nga dritarja. Aty ata ndaluan goditjet,” thotë një prej viktimave.

Por oficerët nuk e dinin se një kamera ishte e vendosur brenda apartamentit, dhe ata po hetohen tashmë për “dhunë nga një oficer publik” “dhe deklarata të rreme”.

Anne Hidalgo, kryebashkiakja e Paris, tha: “Jemi të shokuar nga ky akt i patolerueshëm. Këto akte serioze duhet të marrin të gjithë pasojat e tyre. Ligji nuk është i negocjueshëm. Unë mbështes Michel.”

FOTO GALERI
2/3
Michel u ndalua fillimisht nga policët sepse nuk mbante maskë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA