Rekord gjobash në Kosovë/ Nuk respektuan masat e Covid-19

21/11/2020 13:01

820 qytetarë janë gjobitur brenda 24 orëve nga Policia e Kosovës për shkak se nuk kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet shtetërore, që kanë për qëllim frenimin e përhapjes së mëtejme të koronavirusit të ri.

Në 12 nëntor, në Kosovë u miratuan masat e reja kundër koronavirusit, ku përshihet edhe kufizimi i qarkullimit të qytetarëve, bazuar në tre zona në varësi të numrit të infektimeve. Komunat në Kosovë janë ndarë në zona të kuqe (me rrezik të lartë, ku ka mbi 151 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës), të verdhë (me rrezik të mesëm, që kanë prej 76 deri në 150 të infektuar në 100.000 banorë) dhe zona e gjelbër (me rrezik të ulët, ku janë prej 1 deri në 75 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës).

Në zonën e kuqe hyjnë 18 komuna, përfshirë Prishtinën, Gjilanin, Gjakovën e Ferizajn. Në këtë zonë, nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik dhe vendoset kufizim i plotë i lëvizjes së qytetarëve si dhe ndalohen hyrjet daljet në këto komuna deri në ora 05:00. Që nga fillimi I pandemisë në 13 mars, në Kosovë janë regjistruar mbi 32.800 të infektuar nga koronavirusi e 885 vdekje.

Top Channel