KED insiston në parregullsi/ Vitore Tusha del edhe mbi ligjin. Nuk pranon kontrollin nga ILD

21/11/2020 19:51

Këshilli i emërimeve në Drejtësi vijon në linjën e diskutueshme në procesin e zgjedhjes së anëtarëve të gjykatës kushtetuese. Gjykata administrative gjeti shkelje të procedurës duke shfuqizuar disa prej vendimeve, për ndalimin e kandidimit, dhe duke i kërkuar KED riparimin e shkeljeve proceduriale.

Por sipas informacioneve nga kandidatët, KED, jo vetëm që nuk i ka marrë parasysh gjetjet e Gjykatës, por me shpejtësi rekord, drejtuesit e Këshillit po fusin në kolaps procesin dhe duke dëmtuar përfundimisht integritetin e përzgjedhjes së anëtarëve dhe vetë Gjykatës Kushtetuese. Një prej kandidatëve, të cilëve Gjykata iu dha të drejtë, kërkoi procedimin disiplinor pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për anëtaren e KED Miranda Andoni, në cilësinë e relatores së çështjes, për të cilën Gjykata Administrative e Apelit kishte konstatuar shkelje të rënda. Kandidati i ka kërkuar KED-së kjo anëtare gjendet në konflikt interesi dhe duhet përjashtuar si relatore.

Por në një vendim surprizë të datë 20 nëntor, Kryetarja e KED Vitore Tusha, vendos mos-pranimin e kërkesës për përjashtim të anëtares Miranda Andoni. Kryetarja e KED argumenton se Inspektori i Lartë i Drejtësisë, nuk ka kompetencë për verifikimin e ankesave, që lidhen me shkeljet disiplinore të anëtarit të KED, duke injoruar nenin 241, të ligjit Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë. Në këtë ligj thuhet se Anëtarët e KED mbajnë përgjegjësi disiplinore për shkeljet disiplinore gjatë ushtrimit të detyrës si anëtarë të Këshillit. Dhe procedimi mund të fillojë në çdo kohë, sipas ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe ligjin Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Në bazë të kësaj dispozite, anëtarët e KED mund të procedohen si gjyqtarët apo prokurorë, dhe vlerësimin e bën Inspektorati i Lartë i Drejtësisë.

Sipas Kryetares së KED, anëtarët janë të paprekshëm dhe nuk munden të procedohen. Normalisht, vetë Miranda andoni duhet të ishte dorëhequr përsa kohë ka një konflikt të qartë mes kandidates dhe relators anëtare së KED. KED me shpejtësi ka vendosur për ditën e hënë, mbledhjen e radhës për procedurën e verifikimit për të paktën dy kandidatë, të cilët kishin ankimuar vendimet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Po përse po ndodh e gjitha kjo sagë. Sekreti qëndron se KED ka paracaktuar që në gjykatën Kushtetuese duhet të dërgohet në shkelje të Kushtetutës noterja Sonila Bejtja.

Top Channel