Në një konferencë të përbashkët me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar Italian, Luigi Di Maio, kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij më një sërë falënderimesh ndaj vendit fqinj dhe qeverisë së saj, sa i takon ndihmës së dhënë në tragjedinë e tërmetit të 26 nëntorit, vitin e shkuar.

Në konferencën ku u nënshkrua marrëveshja për Krijimin e Komitetit të Përbashkët të Përhershëm, Rama u ndal edhe te situata aktuale e pandemisë.

“Një falënderim për trupat fantastike të mbrojtjes civile italiane që reaguan në mënyrë të rrufeshme ndaj nevojës sonë për ndihmë dhe u gjendën brenda shumë pak kohe në zonën e fatkeqësisë duke sjellë shpresë dhe duke shpëtuar jetë njerëzish. Nga ana tjetër nuk mund të mos e kujtoj këtu më mirënjohje edhe përfshirjen të ministrit Di Maio dhe Conte-s për të garantuar një mbështetje të jashtëzakonshme për Shqipërinë në Konferencën e Donatorëve, ku Italia ishte jo vetëm me fjalë po edhe me vepra në krye të radhës së vendeve mike që u rreshtuan krah për krah Shqipërisë. Sot ndajmë së bashku edhe eksperiencën që po ndan gjithë botë, të jashtëzakonshme që po sprovon gjithë botën, të përballjes me armikun e padukshëm, virusin Covid-19 dhe dëshiroj ta falenderoj ministrin dhe për gatishmërinë për të qenë krejtësisht i hapur dhe i gatshëm në funksion të sigurimit të vaksinës për të cilën e gjithë bota është vënë në lëvizje, BE është vënë në lëvizje dhe vendet po krijojnë edhe partneritetet dhe Italia falë kësaj lidhjeje krejt të veçantë që ka me Shqipërinë, por falë edhe kryeministrit dhe ministrit është pranë nesh siç është edhe Bashkimi Evropian pranë Ballkanit perëndimor në mënyrë që vendet e rajonit tonë të mos mbeten mbrapa në garantimin e vaksinës për personelin mjekësor dhe sipas radhës, por në një kohë sa më të shpejtë për mësuesit, forcat e policisë, të gjithë popullin në vijim. Kemi folur me ministrin edhe për temën e bashkëpunimit, 10 vjet si sot është nënshkruar deklarata e partneriteti strategjik dhe duam ta institucionalizojmë më tej duke nxitur dialogun në funksion të temave të posaçme dhe tema për të cilën do anagazhohemi është tema e partneritetit në lidhje me planin e investimeve për Ballkanin, transport infrastrukturë, energji dhe dixhitalizim dhe në dy shtyllat e para Italia ka ekspertizën e çmuar në arenën ndërkombëtare dhe ka edhe vullnetin për të qenë pranë nesh. Dua ta falenderoj ministrin personalisht sepse pavarësisht se nuk kam asnjë arsye që të harroj angazhimin edhe të paraardhësve të tij realisht është i angazhuar jo thjesht politikisht, por edhe personalisht për të qenë një avokat i shkëlqyer i integrimit evropian të Shqipërisë, të Ballkanit perëndimor.

Top Channel