Përfaqësuesja e Kosovës e mbylli në mënyrë dinjitoze fushatën e saj në Ligën e Kombeve, me një fitore minimale 1-0 ndaj Moldavisë që gjithsesi e ndal këtu, rrugëtimin e saj. Dardanët u imponuan në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë falë rrjetës së Kastratit me një goditje nga distanca. Edhe pse pritshmëritë ishin të mëdha, Kosova të paktën ruan pozicionin në Ligën C, duke dënuar Moldavinë në Play Out.
Italia bëhet kokë grupi dhe do të organizojë fazën e Final Four, pastriumfit 0-2 në transfertë ndaj Bosnjës. Fraksioni i parë i lojës ishte i pasur me emocione në stadiumin e Sarajevës, aty ku miqtë morën epërsinë me një gol akrobatik të Belotit pas asistit fantastik nga Insinje. Italia iu afrua golit të dytë me Insinje që rroku shtyllën ndërsa ballkanasit provuan me Prevljak dhe Gojak por pa sukses.
Goli i sigurisë për Italinë erdhi nga Berardi, i zoti për tiu vjedhur prapavijës e për të shënuar në një pozicion jo të lehtë. Në po të njëjtin grup, Holanda fitoi me përmbysje në Poloni por nuk u ngjit dot e para. Jozviak i dha epërsinë vendasve para se penalltia e Depai dhe rrjeta e vonë e Vijnaldum, ti jepnin tulipanëve suksesin.
Anglia shkatërroi 4-0 Islandën në stadiumin Uembli, por kjo nuk vlejti aspak për ishullorët që mbeten të tretët. Deklan Rajs, Maunt, dhe dy gola nga talenti Fil Foden asfaltuan nordikët që zbresin në Ligën B. Por kombëtarja e Sauthgejt, nuk përfiton më shumë, pasi Belgjika nga ana e saj nuk gaboi në shtëpi me Danimarkën duke u imponuar 4-2. Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin mbreti Boduin, autorët e golave për formacionin vendas ishin Tielemans, De Brujn dhe sulmuesi i Interit Romelu Lukaku.
Mes ndeshjeve të tjera, spikati goleada e Serbisë 5-0 ndaj Rusisë në Beograd, dhe disfata e Turqisë 2-0 ndaj Hungarisë në Pushkash Arena të Budapestit.
Top Channel