Princi William e ka mirëpritur hetimin e ri mbi mënyrën se si BBC siguroi një intervistë me nënën e tij në 1995-ën.
Gjiganti mediatik ka premtuar “të nxjerrë në dritë të vërtetën” në lidhje me atë episod. Vëllai i Dianës, Earl Spencer pretendon se gazetari Martin Bashir i BBC-së përdori deklarata bankare të falsifikuara për ta bindur princeshën të fliste për të. Pallati Kensington tha në një deklaratë të tij se William “e mirëpriti paraprakisht hetimin, duke e cilësuar një hap përpara në drejtimin e duhur”.
Kjo duhet të ndihmojë në përcaktimin e së vërtetës pas veprimeve që çuan në intervistën e Panorama dhe vendimeve pasuese të marra nga drejtuesit e BBC në atë kohë. Earl Spencer thotë se Bashir kishte përdorur deklarata të falsifikuara bankare – të cilat të tregonin se gjoja dy oborrtarë të lartë po paguheshin nga shërbimet e sigurisë për informacion mbi motrën e tij.
“ Po të mos i kisha parë ato deklarata, nuk do ta kisha prezantuar Bashirin me motrën time”, thotë ai.
Spencer pretendon po ashtu se reporteri kishte dalë edhe me disa pretendime të tjera të rreme në mënyrë që të fitonte besimin e tij dhe qasjen tek Diana, përfshirë pohimet se korrespondenca e saj private lexohej, dhe se i gjurmoheshin telefonatat e makina, të gjitha këto të përshkruara nga Daily Mail si “gënjeshtra të pahijshme”. Thuajse 23 milionë vetë e ndoqën programin Panorama 25 vjet më parë, ku princesha bëri pohimin e famshëm “ se ishim tre vetë në atë martesë”, duke iu referuar për herë të parë hapur lidhjes së Charlesit me Camilla Parker-Bowles. Asokohe, Diana dhe Charlesi ishin të ndarë, por nuk qenë divorcuar ende. Ajo vdiq dy vjet më vonë, në një aksident të tmerrshëm rrugor në Paris.
Top Channel