“Alarm maksimal”/ Japoni, rritje e rasteve me Covid-19

19/11/2020 14:00

Kryeqyteti japonez Tokio sot ka regjistruar mbi 500 raste të reja të koronavirusit (COVID-19) për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, ndërsa kryeministri Yoshihide Suga tha se vendi është në “alarm maksimal”.

Sipas agjencisë së lajmeve “Kyodo News” është dita e dytë me radhë që rastet në Tokio shënojnë një rekord ditor prej 534 rastesh, pasi vendi regjistroi mbi 2.200 raste të reja, numri më i lartë ditor.

Pas kulmit të ri, kryeministri Suga, duke folur para gazetarëve tha se vendi i tij është në “alarm maksimal” dhe u bëri thirrje qytetarëve të mbajnë maska në restorante dhe të bëjnë gjithçka që munden për të parandaluar infeksionet. Sipas agjencisë, Suga po ashtu tha se ai ka udhëzuar Yasutoshi Nishimura, ministrin përgjegjës për reagimin e qeverisë ndaj koronavirusit dhe ministrin e Shëndetësisë, Norihisa Tamura të marrin masa shtesë për të parandaluar përhapjen e virusit bazuar në diskutimet në një takim dyditor të panelit të ekspertëve.

Qeverisja e qytetit pritet të rrisë alarmin e saj ndaj virusit në nivelin e katërt në mënyrë që të vendosë kufizime të rrepta për të frenuar përhapjen e virusit. Ekspertët mjekësorë përshkruan ringjalljen e virusit si një valë të tretë të infeksioneve, duke thënë se një nga shkaqet kryesore janë temperaturat e ulëta dhe njerëzit që kalojnë më shumë kohë në ambiente të mbyllura pa ajrosje të mjaftueshme.

Sipas Universitetit “Johns Hopkins” në SHBA, Japonia deri më tani ka raportuar 123.519 raste me COVID-19 me 1.908 vdekje.

Numri i vizitorëve të huaj bie gati 99 për qind

Numri i vizitorëve të huaj në vend ka rënë me 98.9 për qind në tetor nga një vit më parë, duke shënuar rënien e 13-të mujore për shkak të koronavirusit të ri njoftoi agjencia e lajmeve Kyodo duke cituar të dhënat e Organizatës Kombëtare të Turizmit të Japonisë.

Numri i vizitorëve tani po rritet pas hapit të qeverisë për të lehtësuar kufizimet mbi udhëtarët e huaj që nga muaji i kaluar, treguan të dhënat. Rreth 27.400 vizitorë të huaj mbërritën në vend muajin e kaluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA