Prej më shumë se një javë disa dëshmitarë të luftës e kanë akuzuar se ai, Lulzim Basha, ka qenë aktiv në hetimet që i janë bërë udhëheqjes së UÇK, hetime të cilat çuan Hashim Thaçin në gjykatën e Hagës.

Deri tani janë të paktën tre dëshmi të cilat i drejtohen posaçërisht Lulzim Bashës. Për sqarim këto pretendime nuk janë të sotshme por ato janë përsëritur në vite dhe në kushtet kur ato nuk kanë marrë përgjigje janë hapur në kontekstin e fillimit të proceseve kundër UÇK nga gjykata në Hagë.

Pretendimi i parë ka ardhur nga Jose Pablo Baraybar i cili pohon se ka hyrë në Shqipëri në vitin 2002 bashkë me Lulzim Bashën për të hetuar në Kukës kampet e burgjet e krijuara nga UÇK.

Pretendimi i dytë ka ardhur që në vitin 2019 në mediat e Kosovës dhe këto ditë në mediat e Shqipërisë nga kameramani Milaim Bellanica i cili pohon se kasetën ku ai kishte regjistruar masakrën e tmerrshme të Krushës ku u vranë 243 persona dhe u zhdukën 63 ja ka dhënë Lulzim Bashës.

Pretendimi i tretë vjen nga komandanti i UÇK Latif Gashi i cili dëshmon se Lulzim Basha ka marrë pjesë si përkthyes i UNMIK në arrestimin dhe bastisjen e shtëpisë së tij.

Sipas zonjës së Latif Gashit, Lulzim Basha i ka thënë asaj se ku i ka fëmijët. Të gjitha këto akuza ose pretendime nuk kanë ardhur nga Shqipëria por nga Kosova. Pyetja është pse kosovarët e akuzojnë Lulzim Bashën dhe pse ka kaq shume fakte në Kosovë për aktivitetin e tij si përkthyes dhe si oficer pranë UNMIK.

Pavarësisht nëse flet apo jo Lulzim Basha për të sqaruar rolin e tij në hetimet që i janë bërë UÇK diçka është e vërtetë. Shqiptarët kanë dëshminë e qartë se njeriu që kërkon të bëhet Kryeministër duke mos sqaruar të shkuarën e tij dhe duke refuzuar t’i përgjigjet këtyre pretendimeve ka krijuar një hendek të madh mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe me të drejtë shumë njerëz nuk e shpjegojnë dot pse nuk flet Lulzim Basha.

Por pavarësisht se kosovarët kanë ngritur të gjitha akuzat ndaj Lulzim Bashës sërish problemi mbetet me shqiptarët e Shqipërisë të cilët do votojnë pas disa muajsh. Ata duan të dinë a mund t’i besojnë Lulzim Bashës.

A mund t’i besohet një njeriu që refuzon të përgjigjet për kaq shumë akuza në lidhje me të shkuarën e vet?

Top Channel